Alketa Vejsiu ka qenë e ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin e Blendi Fevziut, për t’ju përgjigjur të gjithë kritikave që shqiptarët i kanë bërë pas daljes në Sanremo.

Alketa i adresoi të gjitha kritikat dhe u shpreh se në këtë vend ka shumë “ligësi”. Por, ajo që vihej re në këtë intervistë mes dy gjigandëve, ishte fakti se Alketa arriti ta rrudhë aq shumë Fevziun, jo vetëm me shpejtësinë supersonike me të cilën flet, por edhe me madhështinë e saj dhe suksesin gjigand që ka arritur.

Moderatori Fevziu, i cili është një nga njerëzit më të famshëm dhe më të shëtitur në Shqipëri dhe planet, kurrë më parë nuk ishte strukur në karriken e tij në këtë mënyrë, duke mbetur fare pa fjalë, nga ky bombardim suksesesh të moderatores Alketa.

Pas të gjithë komplimenteve të rastit që Fevziu i bëri Alketës, moderatori lokal i TV Klanit, arriti të artikulojë edhe një kritikë për moderatoren ndërkombëtare. Ai tha se Alketa nuk duhet të ishte shfaqur inferiore përpara italianëve. Por, këtë argument Alketa nuk e pranoi fare dhe ja ktheu moderatorit mbrapsht në një fraksion sekonde.

Në fund, Fevziu u përshëndet me Alketën dhe shpjegoi se si emisioni “Opinion” ditën e nesërme do të merret me KÇK-në dhe OFL-në, ndërsa Alketa e siguroi se nesër do ta përshëndesë edhe Fevziun nga studio e Bruno Vespës, rivalit të përjetshëm të Fevziut, duke i ngulur kështu thikën e fundit në këtë natë të magjishme.

/TPZ.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re