Autoritetet greke kanë publikuar detaje të reja nga operacioni që çoi në arrestimin e ish-deputetit grek të Agimit të Artë, Christos Pappas, një armik i betuar i shqiptarëve i cili u prangos më 1 korrik pasi ishte fshehur Athinë në shtëpinë e një gruaje 52-vjeçare nga Ukraina.

Ishte një telefonatë anonime në rajonin e policisë që vendosi në dijeni autoritetet për fshehjen e tij në një godinë në një lagje pranë qendrës së Athinës, që vendosi në lëvizje agjentët për të kontrolluar dhe survejuar të gjitha lëvizjet në zonë që çuan në prangosjen e Pappas.

Ndërkohë që avokati i ish-deputetit hodhi poshtë planin e arratisjes së Pappas jashtë vendit. “Christos Pappas nuk kishte në plan të shkonte jashtë vendit dhe ajo që unë di dhe besoj është se ai donte të shmangte dënimin e gjatë” tha ai.

Por mediat greke bazuar te informacionet nga autoritetet flasin për një plan arratisje të Pappas për në Itali, me anije, ose nga Patra ose Igumenica.

Skenarët për arratisjen e tij jashtë ishin dy: ose me letra false, ose duke u fshehur në një kamion me mallra, shoferi i së cilit do të ishte në “rrjetin” e mbështetësve të Christos Pappas. Por zbulimi nga agjentët bllokoi planet.

Ai është dënuar me 13 vite burg për drejtim organizate kriminale.(abcnews)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re