Përgatiti për shendeti.com.al Rilinda Klosi

*Doktor i Shkencave Farmaceutike / Profesor i Asociuar UT

Aloe vera dhe produktet mjekësore nga gjethet e bimës

Konsiderata të përgjithshme

Aloe vera (L) Burm.f. është një bimë pothuajse barishtore, shumëvjecare, që rritet në gjendje të egër kryesishtr në zona të thata dhe të nxehta. Bima karakterizohet nga aftësia për të ruajtur sasi të mëdha uji në inde. Origjina e saj mendohet të jetë nga Gadishulli Arabik. Përdorimi i specieve të gjinisë ”Aloe” është historikisht i dokumentuar. Gjetjet arkeologjike dëshmojnë se bima është përdorur për qëllime mjekimi që në lashtësi. Shënimet e para, hieroglife Sumere të gdhendura në pllaka argjile, datojnë rreth vitit 2200 para erës së re. Ndër shekuj, gjethet e bimës janë përdorur për trajtimin e një game të gjerë problemesh shëndetësore, shumë prej të cilave më pas nuk janë konfirmuar nga rezultatet e studimeve shkencore. Në literaturën e specialitetit bima njihet edhe me sinonimin Aloe barbadensis Mill.

Kjo specie bimore kultivohet gjerësisht në shumë vende të botës. Gjethet e maturuara mirë rekomandohet të grumbullohen në vjeshtën e vonë, duke lënë në majë të bimës gjethet e reja. Ky material bimor shërben si lëndë e parë për prodhimin e dy lloj produkteve me përbërje dhe veti mjekuese të ndryshme. ”Lateks Aloe”: lëngu qumështor i përftuar nga cipa e trashë e gjethes ka veti të forta laksative; kurse ”Xhel Aloe” përftohet nga pjesa e brendshme e gjethes (pulpa) dhe është i njohur në trajtimin e djegieve e të problemeve të tjera të lëkurës në saje të vetive anti-inflamatore /hidratuese të lëkurës. Një numër i madh produktesh të gatshme që qarkullojnë në treg përmbajnë aloe, duke përfshirë shtesat ushqimore, prodhimet mjekësore për përdorim lokal, prodhimet e ndryshme kozmetike. Shumë prej tyre qarkullojnë gjithashtu në tregun tonë, ato i gjejmë si: preparate mjekësore, shtesa ushqimore, produkte kozmetike.

Xhel Aloe

Xheli përftohet nga gjethet e freskëta të bimës. Ekspozimi i bimës për kohë të gjatë në diell çon në uljen e rendimentit. Gjethet priten në bazën e tyre dhe rekomandohet që përpunimi të kryhet brenda pak orëve, sepse temperatura, drita dhe lagështia ndikojnë në qëndrueshmërinë e përbërësve të xhelit. Në kushte shtëpie, shtresa e jashtme e gjethes mund të hiqet me ndihmën e një thike, ky proces njihet si filetimi i gjetheve të aloes. Pjesa e brendshme me konsistencë xhelatinore trajtohet sa më shpejt në një blender. Xheli i freskët (viskoz dhe i tejdukshëm) kur ekspozohet në ajër oksidohet. Për stabilizimin e tij përdoren metoda të ndryshme – një prej tyre bazohet në shtimin e konservuesve. Përbërja kimike e xhelit ndryshon në varësi të varietetit, të mjedisit ku rritet bima, mënyrës së përgatitjes, si dhe kushteve të ruajtjes. Në veprimin e xhelit kontribuojnë aminoacidet, vitaminat, lëndët minerale, karbohidratet, acidi salicilik (përbërës të pranishëm në xhel).

Përdorimi lokal për trajtimin e djegieve dhe plagëve të vogla përgjithësisht është i sigurt, megjithatë janë raportuar raste spontane të reaksioneve alergjike. Xheli i freskët ose preparatet e gatshme (kremra, locione) rekomandohet të aplikohen në zonën e dëshiruar të lëkurës, deri tri herë në ditë. Disa nga përdorimet e përshkruara prej mjekësië popullore, si për shembull trajtimi i akneve, ulcerës peptike, tuberkulozit, anemisë, infeksioneve fungale, nuk mbështeten nga provat klinike. Xheli nuk është miratuar nga OBSh-ja për përdorim të brendshëm. Megjithatë, në shtetet e Bashkimit Europian, në doza të vogla, ndeshet në përbërjen e  disa shtesave ushqimore.

Kundërindikime: Xhel Aloe nuk duhet të aplikohet në djegie të thella apo plagë të infektuara. Në këto raste vetë-mjekimi nuk këshillohet, pasi ato kërkojnë mbikëqyrjen e mjekut.

Paralajmërime: Nëse gjatë përdorimit shfaqen njolla ose puçra, trajtimi ndërpritet dhe kërkohet konsultimi me mjekun dermatolog.

Lateks Aloe

Lëngu me origjinë nga qelizat nën epidermën e gjethes së bimës njihet si Lateks Aloe. Ai më pas thahet dhe pluhurizohet për të mbërritur te produkti final. Lateksi është i pasur me glikozide antrakinonike, përgjegjëse për veprimin e fortë laksativ. Aloina është përbërësi kryesor.

Në Shtetet e Bashkuara  të Amerikës, deri në vitin 2002 qarkullonin preparate të ndryshme me përmbajtje aloine të cilat jepeshin pa recetë (OTC). Në vitet në vazhdim, përdorimi i aloinës si mjet laksativ u ndalua për shkak të veprimeve anësore të provuara. Megjithatë, në udhëzuesit e Agjencisë Europiane të Barnave (EMA) nënvizohet fakti se ekstraktet e thara dhe të standardizuara mund të përdoren si mjet laksativ vetëm për një periudhë kohore të shkurtër, dhe vetëm në konstipacionin rastësor (jo kronik). Në treg qarkullojnë kapsula, ato merren një herë në ditë, natën. Përdorimi për kohë të gjatë mund të shkaktojë efekte anësore serioze, duke përfshirë probleme të veshkave dhe të zemrës. Në përgjithësi, këto produkte mund të përdoren vetëm nëse pas ndryshimit të dietës, ose përdorimit të laksativëve të tjerë, nuk është arritur rezultati i dëshiruar. Doza përshtatet në mënyrë individuale.

Efekte të padëshiruara: çrregullime gastrointestinale, diarre, spazma dhe dhimbje barku, prishje të balancës elektrolitike.

Kundërindikime: produktet mjekësore me përmbajtje aloine nuk duhet të përdoren nga gratë shtatzëna sepse paraqesin rrezik gjenotoksik. Po ashtu, nuk duhet të përdoren nga gratë me fëmijë në gji dhe as nga fëmijët me moshë nën 10 vjeç. Ato janë të kundërindikuara në pacientët me kolit ulceroz ose me atoni të zorrëve, si dhe në personat që marrin barna antiaritmike.

Paralajmërime: përdorimi i zgjatur i produkteve laksative çon në dëmtimin e funksionit të zorrëve dhe në krijimin e varësisë nga laksativët.

Rferenca

  1. European Union herbal monograph on Aloe barbadensis Mill. and on Aloe folii succus siccatus. EMA/HMPC 2016.
  2. Melissa Petruzzelo. Aloe. Encyclopedia Britanica. Accessed January 2024.
  3. Cristiano G. et al. Propagation techniques and agronomic requirements for cultivation of Aloe vera-A review. Frontiers in Plant Science, vol 7. September 2016.
  4. Kaminaka Ch. et al. Effects of low -dose Aloe sterol supplementation on skin moisture, collagen score and objective or subjective symptoms. The Journal of Dermatology 2020; 47 (9): 998-1006.
  5. Joseph B. Pharmacognostic and phytochemical properties of Aloe vera – An overview. International Journal of Pharmaceutical Sciences 2010; 4: 106-110.
  6. Rodrigues E. et al. Aloe vera as a functional ingredient in food. Critical Review in Food Science and Nutrition 2010; 50: 305-326.
Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re