Kishte shkuar për ngjitje në një malin Velebit  të Kroacisë së bashku me dy miq të tjerë dhe qenin. Por gjatë zbritjes së pikës më të lartë, Gërka Bërkiç (Grga Brkić) rrëshket nga një shpat i malit në një lartësi prej afro 150 metrash së bashku me qenin.

I riu kishte pësuar lëndime dhe s’mund të lëvizte, ndërsa dy miqtë e tij ngritën alarmin dhe thërritën ekipet e shpëtimit, në pamundësi për të zbritur e ndihmuar të riun.

Ekipeve të shpëtimit iu deshën plot 13 orë për të mbërritur në terrenin ku kishte rënë 40 vjeçari, ndërsa ajo që gjetën aty, i la pa fjalë. Qeni ishte mbledhur rreth trupit të 40 vjeçarit për 13 orë rresht, për ta mbajtur ngrohtë me gëzofin e tij.

Qeni i quajtur ‘North’ (Veri) dhe i llojit Malamute, ishte vetëm 8 muajsh dhe me gjasë i shpëtoi jetën 40 vjeçarit, duke i qëndruar mbi trup.

Edhe kur ekipet e shpëtimit arritën në vendin e ngjarjes dhe nisën ta vendosin Bërkiç në barrelë për ta përcjellë në spital, qeni nuk lëvizi nga trupi i tij.

“Miqësia e dashuria mes njeriut e qenit nuk njeh kufij. Së bashku në momente të lumtura e të vështira… North nuk mori lëndime, por miku i tij, nuk pati të njëjtin fat. Qeni u mbështoll mbi trupin e ngjitësit dhe e mbajti ngrohtë.”-shkroi Shërbimi Kroat i Shpëtimit në Male.

Afro 30 vetë morën pjesë në orvatjen për të shpëtuar të riun, por duket se një qen 8 muajsh bëri ‘punën kryesore’ për ta mbajtur atë gjallë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re