Skip to content

Alqi Bllako: Një përgjigje pronarëve të LSI-së që më kanë vendosur në shënjestër

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Deputeti i Partisë Socialiste Alqi Bllako i është përgjigjur sulmeve në adresë të tij.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka bërë një sqarim ku ndër të tjera shkruan:

“Prej disa kohësh, jam vendosur në shënjestrën e pronarëve të LSI-së për hakmarrje personale, jo për arsye parimore.

🔴 Në respekt të transparencës dhe interesit publik, më duhet të sqaroj disa pika kyçe për të rrëzuar njëherë e mirë mashtrimet e LSI.

1 – Nuk kam pasur asnjë rol në dhënien e asnjë kontrate konçesioni, gjatë ushtrimit të detyrës, si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit.

Ligji i Konçesioneve dhe Partneritetit Publik Privat përcakton se Sekretari i Përgjithshëm, nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në proçedurë, nëse nuk është pjesë e komisionit përgjegjës për dhënien e konçensionit.

Nuk kam qenë kurrë anëtar i 3 komisioneve përgjegjëse për dhënien e 3 konçensioneve, për të cilat hidhen akuza. Nuk kam marrë pjesë kurrë në asnjë prej mbledhjeve të zhvilluara nga këto komisione.

2 – Nuk kam vepruar kurrë në konfilikt interesi, siç mashtrojnë me dashje kundërshtarët politikë.

Gjatë kohës së shpalljes së fituesit për impiantin e Tiranës nuk ushtroja detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit. Fituesi është shpallur në 17 Gusht 2017 dhe kontrata është lidhur në 31 Gusht 2017. Kam ndërprerë mardhëniet e punës në Ministrinë e Mjedisit më 27 Korrik 2017 dhe jam emëruar Sekretar i Përgjithshëm në Presidencë më 31 Korrik 2021.

3 – AKUM, agjenci që e kam drejtuar nga 26 Shkurt 2019 deri më 05 Mars 2021 ka ZERO lidhje me impiantin e Tiranës. Kjo agjenci nuk ka qene KURRË pjesë as në proçedurë, as në menaxhim. Kjo vlen njësoj për periudhat e si për drejtuesit para meje, ashtu dhe për ata pas meje.

AKUM nuk ka asnjë rol në politikbërjen apo menaxhimin e mbetjeve. AKUM është agjencia përgjegjëse vetëm për ndërtim infrastrukture në sektorin e mbetjeve.

4 – MË E RËNDËSISHMJA! Babai im nuk ka përfituar KURRË asnjë qindarkë prej meje.

Im atë është një nga sipërmarrësit e parë në vitet ‘90. Si inxhinier mekanik, i specializuar për industrinë është profesionist dhe sipërmarrës i mirënjohur në këtë fushë prej 31 vitesh. Nuk ka ASNJË konflikt interesi timin me punën e kryer prej tij në Impiantin e Tiranës, punë që e ka filluar 1 vit e 3 muaj, pasi isha larguar nga Ministria e Mjedisit dhe ushtroja detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Presidencë. Im atë, ka lidhur një kontratë afatshkurtër me afat të përcaktuar, si përgjegjës për detajimin e projektit mekanik, pjesë kjo e projektit tërësor të zbatimit, projektim i ardhur nga një kompani ndërkombëtare.

📌ZERO vendimarrje e imja, në çdo hallkë të këtij proçesi! ZERO konflikt interesi!

📌Ata që akuzojnë kanë të drejtë vetëm për diçka! “Follow the money” dhe shumë shpejt do të mbërrijmë në destinacion!”, nënvizon Bllako. (TemA)

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë