Kreu i Grupit të PS, Bledi Çuçi ka reaguar pasi kreu i SPAK, Altin Dumani rrëzoi pretendimet e mazhorancës në lidhje me ngritjen e Komisioneve Hetimore Parlamentare.

Bledi Çuçi, në një deklaratë për gazetarët, tha se e drejta për të kërkuar komisione hetimore nuk mund ta kthejë parlamentin në një super organ, duke shtuar se duhet ruajtur raportoi i organeve kushtetuese.

Ai theksoi se duhet vlerësuar nëse komisoni hetimor e cenon apo jo hetimin, teksa shtoi se “këtë duhet të ketë pasur parasysh Dumani kur e ka thënë”.

“Ne kemi thënë atë që ka thënë gjykata Kushtetuese, se e drejta për të kërkuar komisione hetimore nuk mund ta kthejë parlamentin në një super organ sepse është raporti i organeve kushtetuese që duhet ruajtur.

Ajo padiskutim që rast pas rasti vlerësohet nëse në ndonjë moment të caktuar e cenon hetimin apo jo. Vlerësohet nëse e cenon apo jo hetimin, këtë duhet të ketë pasur parasysh Dumani kur e ka thënë”, tha Çuçi.

 Dumani “rrëzon” mazhorancën

Altin Dumani tha për INA Media se, të dyja palët mund të bashkëpunojnë dhe se Prokuroria Speciale i ka ndjekur dhe i ndjek me vëmendje hetimet e parlamentit.

I pyetur nëse puna e SPAK mund të dëmtohej nga hetimi paralel, parlamentar dhe në një përgjigje me shkrim, Altin Dumani nuk shprehu shqetësime në këtë drejtim.

“Komisionet hetimore, parlamentare kanë qëllim dhe funksion të ndryshëm nga hetimi që kryen SPAK, i cili është i natyrës penale. Standardet e provueshmërisë së procesit penal janë më të larta dhe procedura e ndjekur për ngritjen e një akuze është shumë më rigoroze”, tha kreu i SPAK.

Dumani shtoi se ligji parashikon që Prokuroria e Posaçme mund të bashkëpunojë me komisionet hetimore, parlamentare, sipas dispozitave ligjore në fuqi.

Duke theksuar se “në çdo rast hetimi penal është i pavarur”, drejtuesi i Prokurorisë Speciale i tha INA Media-s se “Prokuroria e Posaçme ka qenë dhe është e vëmendshme ndaj hetimeve të kryera nga komisionet parlamentare për ato vepra penale që janë në juridiksionin e saj”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re