I përfshirë në aktivitete kriminale, të ngjashme me personazhet më të egër e botës së krimit, ky ështe efektivi i RENEA-s  Altin Morina i cili u arrestua një ditë më parë nga kolegët e tij.

 

Burime për Vizion Plus shprehen se Altin Morina pak para se ti vendoseshin prangat ka qënë në mjetin e tij me një punonjës të lartë të një agjencie ligjzbatuese në vend me të cilin janë ndarë te Kodra e Diellit.

 

Paratë e gjetura në mjetin e tij, 113 mijë euro dhe shuma të tjera, i përkisnin vetë Morinës, por që tregojnë majën e ajsbergut të aktiviteteve të tij kriminale.

 

Altin Morina dyshohet se kishte njohje dhe lidhje me grupin e Ervis Martinajt.

 

Madje para pak ditësh ai është takuar me një njëri të afërm të Martinajt. Efektivi i RENEA-s e mbronte këte te fundit për ndonjë atentat të mundshëm.

 

Të njëjtat burime i konfirmuan Vizion Plus se Morina dyshohet të jetë i përfshirë në trafikun e heroinës dhe kokainës kryesisht në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër.

 

Roli i tij ishte të mbronte pikëtisht trafikantët e drogave të forta.

 

Madje ditën e djeshme ai ka qënë në Elbasan ku dyshohet se ka dorëzuar një shumë parash.

 

Dyshohet gjithashtu se Morina kishte lidhje edhe me Kreshnik Halilajn.

 

Ky i fundit u arrestua para disa kohësh për arsenal armësh dhe kokainë. Ishte efektivi i RENEA-s ai që e ndihmoi Halilajn që të shpëtonte nga burgu.

 

Morina fshehu provat, konkretisht 250 gram kokainë që u gjetën në banesën e Halilajt e raportoi si miell.

 

Hetuesit kanë tentuar tre herë ta marrin në pyetje, por Morina nuk ka folur asnje fjalë.

 

Altin Morina e nisi karierën në polici në vitin 2006 në Komisariatin nr 3 në sektorin e krimeve. Në 2010 ka kaluar te Kontrolli i Brendshëm dhe më pas tek RENEA. Në vitin 2015, ka qenë edhe tek FNSH.

 

Po në 2015-ën punonte si bodigard në një lokal nate.

 

Në atë kohë është përjashtuar nga policia, pasi u përfshi në një konflikt.

 

Me vendim gjykate, ai u rikthye në polici.

 

Ka punuar edhe në drejtorinë e Antiterrorit në 2019, ndërsa në 2021 ka qenë shef komisariati në Mallakastër.

 

Së fundmi, në 2022 kaloi si shef stërvitje në RENEA.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re