Drejtori i komunikimeve të Presidencës së Türkiyes, Fahrettin Altun, kritikoi Izraelin për luftën e tij të vazhdueshme në Gaza dhe “kërcënimet hibride” që rrjedhin prej saj.

“E gjithë bota është nën kërcënime hibride që rrjedhin nga Izraeli”, tha ai, duke iu referuar veprimeve të shteteve ose organeve joshtetërore që synojnë të shfrytëzojnë dobësitë e një shteti apo institucioni në avantazhin e tyre nëpërmjet përdorimit të më shumë masave, qofshin ato diplomatike, ekonomike, ushtarake apo teknologjike, e gjitha kjo duke shmangur luftën formale.

“Fashistët e sotëm marrin si shembull fashistët e djeshëm”, shtoi ai, duke nënvizuar më tej se hebrenjtë ishin të shtypur në atë kohë, ndërsa sot objektivi janë muslimanët.

Altun citoi gjithashtu termin “propagandë fashiste”, i cili u përdor në mënyrë të famshme nga Theodor W. Adorno, një filozof dhe sociolog gjerman.

“Adorno, i cili ishte edhe vetë një hebre gjerman, në veprën e tij të titulluar ‘Antisemitizmi dhe Propaganda Fashiste’, thotë se propaganda fashiste nuk sulmon armiqtë e vet, por fantazmat, përbindëshit imagjinar dhe mitet”, tha Altun , duke shtuar: “Sot, makineria e propagandës së Izraelit po përdor propagandën fashiste ashtu siç e kishte thënë Adorno”.

Altun gjithashtu tha se Izraeli, me përpjekjet e tij propagandistike, po masakron realitetin.

“Izraeli ka vrarë, për fat të keq, 64 gazetarë deri më tani në agresionin e tij”, tha ai, duke sulmuar më tej retorikën antisemitiste të Izraelit.

“Sa herë që ankoheni për politikat izraelite, ata thonë se jeni antisemitik. Kur ju mbroni palestinezët, ata thonë se ju nuk e njihni të drejtën e Izraelit për të ekzistuar”, tha Atun, duke iu referuar akuzave të përgjithshme të zyrtarëve izraelitë për antisemitizëm që shpesh kritikohen se i përdorin për të shtypur mendimin ndryshe.

Altun tha gjithashtu se ushtria izraelite “dërgon formulime konceptesh, nocionesh dhe fjalë për t’u përdorur” për kompanitë e mediave perëndimore dhe u imponon atyre të përdorin terma specifikë kur raportojnë rreth konfliktit.

“Palestinezët fillimisht kriminalizohen, pastaj dehumanizohen” nga media, tha Altun, duke shtuar: “Kërkohet nga Izraeli që kjo tragjedi të anashkalohet.”

Ai gjithashtu u shpreh se Izraeli po “thellon” krizën e së vërtetës me propagandën dhe kërcënimet e tij hibride.

“Banalizimi i gënjeshtrës është baza e kësaj krize të së vërtetës”, tha ai, duke përmendur gjithashtu sociologun francez Jean Baudrillard i cili akuzon se bota e simulimit, ose hiperrealiteti, ka marrë përparësi ndaj realitetit.

Qindra mijëra persona u larguan drejt pjesës jugore të Rripit të Gazës nga sulmet intensive izraelite dhe operacionit tokësor në pjesën veriore të enklavës së bllokuar që nga 7 tetori, kur Hamasi kreu një sulm të befasishëm kundër Izraelit.

Më herët gjatë ditës, ushtria izraelite lëshoi gjithashtu fletushka në pjesën jugore të Rripit të Gazës, duke paralajmëruar palestinezët të mos lëviznin në veri, pasi ajo akoma mbetet një zonë lufte.

Pauza humanitare katërditore midis ushtrisë izraelite dhe Hamasit hyri në fuqi të mëngjesin e sotëm në të gjitha zonat e Rripit të Gazës, duke ndaluar përkohësisht sulmet për shkëmbimin e të burgosurve dhe ndihmë humanitare.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re