Shefi i Kryesisë së Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun, tha se Greqia nuk e ka shfrytëzuar shansin e dhënë nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis për hapjen e kanaleve të dialogut midis dy vendeve.
Altun ka zhvilluar një intervistë me gazetën greke Kathimerini, ku ka folur për zhvillimet e fundit.

“Presidenti ynë i dha një shans qeverisë Mitsotakis dhe kështu hapi kanalet e dialogut. Kryeministri i Greqisë nuk e vlerësoi këtë mundësi”, ka deklaruar Altun.

“Greqia vetëm se dëmton veten duke u vënë përballë Turqisë me përllogaritje të ulëta ose duke u besuar vendeve të treta”, ka shtuar ai.

Në lidhje me aktivitetet e shpimit në Mesdhe, ai tha se Türkiye vendos vetë si shtet sovran se ku do të kryejnë aktivitete anijet e saj të sondimit.

Altun ka nënvizuar se Greqia po i shkel marrëveshjet ndërkombëtare duke armatosur ishujt që kanë status të demilitarizimit.

“Të besosh se Türkiye nuk do të nxjerrë zë përballë këtyre hapave të jashtëligjshëm të Greqisë, do të thotë të mos e njohësh Türkiye-n”, tha Altun, duke shtuar se është Greqia pala që po rrit tensionet në Egje prej disa muajsh.

“Nëse Türkiye do të donte të luante një lojë të rrezikshme sa Greqia, ju do të shihnit avionët luftarakë turq në Gadishullin Attiki. Por ne nuk kemi një hall të tillë”, është shprehur Altun.

Ai ka përsëritur se Türkiye nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pala që ngre tensionet, megjithatë, ai potencoi se vendi i tij ka të gjitha mundësitë dhe aftësitë për t’u përgjigjur ndaj çfarëdo veprimi.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re