Kreu i Komunikimeve të Presidencës Turke, Fahrettin Altun, gjatë fjalimit të hapjes së “TRT World Forum 2022″ që mbahet për herë të 6-të në Istanbul me temën “Formësimi i të Ardhmes: Pasiguritë, Realitetet dhe Mundësitë”, theksoi se Turqia ndjek një model unik të politikës së jashtme që mund të shërbejë si shembull në botë.
Duke folur rreth forumit, ai tha se do të diskutohen shumë çështje bazë, që nga bashkëpunimi global deri tek lidershipi; nga diplomacia e paqes te siguria ushqimore; nga kriza energjetike te ndryshimet klimatike; nga migrimi tek islamofobia; nga digjitalizimi te dezinformimi.
Duke vënë në dukje se të jetuarit në stabilitet dhe projektimi i së ardhmes është bërë tashmë një çështje jashtëzakonisht jetike dhe po aq e vështirë për shoqëritë, Altun tha se Türkiye ka mbrojtur të drejtat kombëtare, si dhe ka kontribuuar në zgjidhjen e krizave rajonale dhe globale.
“Në këtë pikë, Türkiye falë stabilitetit politik, besimit ekonomik dhe paqes sociale që ka ofruar në 20 vitet e fundit ka arritur mundësinë që të zbatojë një politikë të jashtme dinamike dhe shumëdimensionale që vendos njerëzit në qendër. Në këtë mënyrë, ka mundur të paraqesë iniciativa jo vetëm për të drejtat e veta, por edhe për eliminimin e padrejtësive në arenën globale dhe forcimin e paqes botërore. Teksa vendi ynë nën drejtimin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan mbron pa tolerim të drejtat e tij kombëtare, në anën tjetër ka ofruar kontribute të rëndësishme edhe në zgjidhjen e krizave rajonale dhe globale. Përpjekjet tona në këtë epokë që cilësohet si epoka e pasigurive globale e bëjnë Türkiye-n një ishull stabiliteti, në të njëjtën kohë e nxjerrë në pah edhe si fuqi stabilizuese”, tha Altun.
Ai u shpreh se për arritjen e Turqisë në këtë pikë, rëndësi kanë përpjekjet dhe lufta e presidentit Erdoğan, duke shtuar se po të mos ishte lidershipi i fuqishëm, i mprehtë, parimor dhe i vendosur i Erdoğan-it, Turqia sot nuk do të mund të ishte një aktor global dhe një fuqi rajonale me reputacion.
Pasi nënvizoi se Turqia ka paraqitur një model unik të politikës së jashtme që do të jetë shembull për të gjithë botën në këtë periudhë, Altun përmendi edhe përpjekjet diplomatike të Turqisë në luftën Rusi-Ukrainë.
“Diplomacia e paqes që kemi paraqitur në luftën Rusi-Ukrainë që vazhdon prej rreth 10 muajsh, ka treguar se e gjithë bota e ka pranuar që Turqia është një fuqi qetësuese që ofron kontribut për stabilitet dhe paqe. Presidenti ynë me vendosmërinë, iniciativën e ndërmarrë dhe përgjegjësinë që ka marrë përsipër në këtë proces, ka arritur në pozicionin e një lideri, mendimi i të cilit pyetet në çdo çështje themelore në botë. Ky lidership është padyshim një element qendror që rrit fuqinë dhe ndikimin diplomatik të Türkiye-s”, tha Altun.
Ai ndër të tjera rikujtoi se Turqia falë kësaj organizoi takimin e ministrave të jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës në Antalya, mundësoi takimin e diplomatëve të dy vendeve në Istanbul, parandaloi krizën globale ushqimore me marrëveshjen e drithit, siguroi shkëmbimin e të burgosurve mes Rusisë dhe Ukrainës, dhe së fundmi ishte vendi pritës i organizimit të bisedimeve mes shërbimeve inteligjente të dy vendeve.
Në anën tjetër, Altun theksoi se përpjekjet e Turqisë gjatë aplikimit të Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO siguruan që të arrihen përfitime të vlerësueshme dhe marrjen e angazhimeve të rëndësishme në luftën kundër terrorizmit.
“Sigurisht që ne do të vazhdojmë të jemi ndjekës të këtyre sipas udhëzimeve të presidentit tonë. Sukseset diplomatike të arritura nën udhëheqjen e presidenti tonë, nxjerrin në pah rolet lehtësuese dhe pajtuese që Turqia ka luajtur në këtë proces”, theksoi Altun.
“Vizioni i Turqisë për të ardhmen globale synon ta mbajë botën larg konflikteve”
Fahrettin Altun u shpreh se një tjetër veçori e modelit të politikës së jashtme të Turqisë është respektimi i parimit “zgjidhje rajonale për problemet rajonale”.
“Nga përvojat e hidhura shohim që ndërhyrjet e jashtme në çdo rajon, nga Lindja e Mesme në Ballkan, nga Deti i Zi në Mesdheun Lindor, e thellojnë krizën e atij rajoni, i zmadhojnë krizat dhe krijojnë tragjedi. Një veçori tjetër dalluese e modelit tonë të politikës së jashtme është se ai ushqehet nga lufta për drejtësi globale dhe e zgjeron këtë. Në këtë aspekt, përpjekje për reformimin e organizatave ndërkombëtare dhe rritjen efektivitetit të tyre është pjesë e përpjekjeve tona për të bërë të mundur një botë më të drejtë. Thirrja e presidentit tonë se ‘Bota është më madhe se 5’, të cilën e ka bërë si një flamurtar prej shumë vitesh, kemi shikuar se ajo është përsëritur nga shumë krerë shtetesh në Asamblenë e Përgjithshme të fundit të Kombeve të Bashkuara. Ky është rezultat dhe sukses i luftës së vendosur të presidentit tonë”, tha Altun.
Një tjetër temë kritike e modelit të politikës së jashtme të Turqisë, sipas tij, janë përpjekjet për të parandaluar polarizimin global dhe për të parandaluar luftërat e reja të ftohta, duke shtuar se vizioni i Turqisë për të ardhmen globale synon at mbajë botën larg konflikteve dhe të parandalojë hyrjen në një luftë të re të ftohtë.
Në fjalën e tij, Altun tha se vendi i tij ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe ka kryesuar për ndërtimin e stabilitetit global, si dhe në luftën kundër retorikës së urrejtjes, islamofobisë dhe antisemitizmit.
“Dhe sigurisht, edhe elementi i ngritjes së aleancave dhe zhvillimit të kapaciteteve kundër luftërave të informacionit dhe operacioneve dezinformuese janë një prej pikave të rëndësishme që ne jemi fokusuar në rang ndërkombëtar dhe ky element është një shtyllë e rëndësishme në modelin tonë të politikës së jashtme. Të gjithë jemi dëshmitarë se aktivitetet dezinformuese sistematike që zhvillohen në mënyrë komplekse në ditët e sotme, vendosin në objektiv stabilitetin kombëtar, rajonal dhe global, të drejtat individuale si dhe paqen dhe qetësinë e shoqërive” njoftoi Altun.
Burimi: AA