Sipas kreut të Komunikimeve të Presidencës së Türkiyes, Fahrettin Altun, organet ndërkombëtare si Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) janë treguar të paaftë për të zgjidhur çështje globale dhe madje edhe i kanë përkeqësuar ato.

Në një opinion të publikuar në ueb platformën spanjolle ‘Atalayar’ të titulluar “Türkiye e Erdoğanit ofron zgjidhje aty ku OKB-ja ka dështuar”, Altun kujton se Republika e Türkiyes u themelua 100 vjet më parë mbi sovranitetin kombëtar si rezultat i Luftës së Pavarësisë, e cila u fitua me vendosmërinë e kombit.

“Fakti që Türkiye ka mbijetuar në unitet dhe solidaritet në gjeografinë e saj të afërt, ku paqëndrueshmëria dhe konflikti janë ndjerë thellë gjatë shekullit të kaluar, tregon fuqinë dhe potencialin e vendit”, thekson Altun.

Siç thotë Altun, Republika e Türkiyes që u “rilind nga hiri” nën udhëheqjen e Ghazi Mustafa Kemal Atatürkut, po bën përparim të vazhdueshëm drejt qëllimeve të saj të larta, që përfshijnë ngritjen, ringjalljen dhe ndërtimin e kombit dhe shtetit turk në përputhje me kërkesat e epokës moderne.

“Qëllimi i modernizimit të Türkiyes përfshin një sërë ndryshimesh dhe transformimesh politike, ekonomike dhe ligjore. Për një shekull ka ekzistuar një vullnet dhe dëshirë për të arritur këto synime, madje edhe përpjekje të herëpashershme nga ndërhyrje të brendshme dhe të jashtme për ta nxjerrë atë nga binarët”, thotë Altun.

Siç thekson ai, nga njëra anë u ngrit niveli i institucioneve dhe standardeve demokratike e ligjore, ndërsa nga ana tjetër u nisën iniciativa për zhvillim ekonomik dhe social.

“Zgjedhjet me mbështetjen dërrmuese publike, tregues kryesor i standardit të demokratizimit të Türkiyes”

Sipas tij, reagimi i kombit turk ndaj “ndërhyrjeve që tentuan të uzurpojnë vullnetin e popullit në kutinë e votimit në rastin e parë dhe qëndrimi i marrë më 15 korrik” kanë qenë treguesit më të rëndësishëm të vullnetit të kombit.

“Mbështetja në vullnetin e popullit është një kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për krijimin e një Republike moderne. Türkiye gjithashtu duhet të ecë me kohën për sa i përket standardeve ekonomike, ligjore dhe demokratike”, thotë Altun.

Më tej, ai thekson se zgjedhjet e drejta dhe transparente me mbështetjen dërrmuese publike të mbajtura nën mbikëqyrjen e vlerësuesve të lartë janë një tregues kryesor i standardit të demokratizimit të Türkiyes.

Me kalimin e kohës, shton ai, pjesëmarrja demokratike dhe respekti për vullnetin e kutisë së votimit janë “rrënjosur më thellë” në Türkiye.

“Nga ana tjetër, në shekullin e dytë të Republikës, përveç kulturës dhe normave politike e juridike, ne duhet të ndërtojmë një Türkiye të begatë, veçanërisht një Türkiye që ka përfunduar investimet në infrastrukturë”, thotë Altun.

“Türkiye është lojtar kyç dhe një vend lider në rajonin e saj”

Më tej, kreu i komunikimeve në presidencën turke thekson se nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan iniciativat e infrastrukturës të Türkiyes në vitet e fundit kanë qenë shtyllat e një Türkiye të begatë.

Sipas tij, rezultati më domethënës i investimeve në infrastrukturë në nivel lokal është rritja e mirëqenies sociale dhe nga ana tjetër, falë këtyre investimeve, Türkiye do të mund të përfitojë nga potenciali i vendndodhjes së saj strategjike.

“Në një botë ku qendrat ndërkombëtare të tregtisë dhe prodhimit, po ndryshojnë dhe transformohen me shpejtësi, veçanërisht zinxhirët e furnizimit, vendndodhja strategjike gjeopolitike e Türkiyes po tërheq më shumë interes nga e gjithë bota. Një Türkiye e fuqishme me një infrastrukturë plotësisht të zhvilluar do të ketë ndikim më të madh në rajonin e saj. Me përparimet e bëra në vitet e fundit, Türkiye respektohet në ekuilibrin ndërkombëtar dhe përmbush me sukses rolin e saj si lojtar kyç në çështjet rajonale, veçanërisht në Lindjen e Mesme dhe Kaukaz”, shprehet Altun.

Lidhur me konfliktin e fundit Izrael-Palestinë, Altun thekson se “qëndrimi politik i orientuar drejt zgjidhjes i paraqitur nën udhëheqjen e presidentit Erdoğan, që thekson aspektin humanitar të çështjes, është tregues i kësaj”.

Ai shton se siç tregojnë qartë Ukraina, Karabaku dhe çështje të tjera rajonale, derisa Republika e Türkiyes hyn në shekullin e saj të dytë ajo është bërë një lojtar kyç dhe një vend lider në rajonin e saj.

“Organet ndërkombëtare si Këshilli i Sigurimit i OKB-së, janë treguar të paaftë për të zgjidhur çështjet globale dhe madje edhe i kanë përkeqësuar ato. Është e qartë se organizatat ndërkombëtare duhet të krijohen në dritën e shekullit të ri dhe të epokës së re, duke marrë parasysh ekuilibrat e ri. Türkiye po përgatitet për konjukturën e re ndërkombëtare shumë-dimensionale dhe me shumë aktorë në përputhje me moton e presidentit tonë ‘Bota është më e madhe se pesë’ “, thotë Altun.

Në fund të opinionit për ueb portalin ‘Atalayar’, ai thekson se për të zgjidhur problemet globale dhe rajonale, Türkiye në mënyrë efektive përdor kanale humanitare dhe diplomatike, si dhe instrumente moderne të ndërveprimit ndërshtetëror, siç është diplomacia turke.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re