Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigji Soreca këtë të mërkurë theksoi se Komisioni Evropian ka paraqitur një raport pozitiv për Shqipërinë, duke treguar se vendi ka përmbushur të gjitha kushtet për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.
“Do të fokusohem te kriteret politike. Shqipëria ka kaluar një periudhë me sfida, si pandemia. Ashtu siç u konfirmua nga Von der Layen, BE i qëndroi pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve në këto sfida. Raporti thotë që Shqipëria ka përmbushur kushtet për anëtarësimin e BE dhe duhet të nisë sa më shpejt Konferenca e Parë Ndërqeveritare. Vonesat për negocim do të kenë aspekt negativ për besueshmërinë e BE. Ne presim përparim në tre fusha, në zbatimin e ligjit, lirisë së medias dhe nën ligjet që priten të miratohen për të drejtën e pakicave”, tha Soreca.
Ambasadori Soreca theksoi se në raport janë disa pika që kanë nevojë për administrim të mëtejshëm, si dhe theksoi se duhet të priten të dhënat e hetimeve për pretendimet e ngritura për manipulim të votave dhe rrjedhjen e të dhënave personale të qytetarëve.
“Në raport thuhej që zgjedhjet në përgjithësi ishin të mirë organizuara, por ka edhe aludime për blerje votash dhe rrjedhje të dhënash personale, e për këtë ne presim hetimet. Strukturat e BE-së duhet të artikulohen në mënyrë më efikase. Në raport jepet edhe vlerësimi i përparimit për qeverisjen vendore, sepse do të jetë ajo që do të kryejë 70% të legjislacionit të BE”, tha ai.
