Tre anëtarët e këshillit të AMA, Sami Nezaj, Suela Musta dhe Agron Gjekmarkaj thanë sot se ishin kundër kalimit në Parlament të projekt ligjit “Për shërbimet e medias në Republikën e Shqipërisë”.

Këshilli i AMA shqyrtoi sot projektligjin e përgatitur nga qeveria dhe sipas procedurës u votua në bord në lidhje me kërkesën e Parlamentit për dhënie mendimi.

Me tre vota kundër projektligjit nga pesë anëtarë, AMA jep përgjigje negative në lidhje me ndryshimet që janë bërë ligjit “Për mediat Audiovizive në Republikës e Shqipërisë”, që synojnë rregullimin përmes institucioneve publike të medias së shkruar online.

Projektligji ngarkon AMA dhe Këshillin e Ankesave në këtë institucion për implementimin e ndryshimeve të pritshme nëse projektligji miratohet në Parlament.
Tre anëtarët e AMA-s, paraqitën argumente që lidheshin me nevojën për forcimin e lirisë së mediave online, lirisë së mendimit dhe të drejtës për informim përmes rritjes së profesionalizmit, mbështetjes së mediave të reja, vetërregullimit të tyre, rritjes së edukimit për median, gjë që ndryshimet e parashikuara në ligj nuk e realizojnë.

Propozimet e qeverisë ndrydhin lirinë dhe zhvillimin e medias informative online.

Propozimet e qeverisë anashkalojnë një nga parimet më të rëndësishme të medias së shkruar atë të vetrregullimit ndërkohë që aktet ndërkombëtare dhe veçmas direktiva e BE për mediat audiovizive inkurajon edhe vetë rregullatorët ti japin përparësi këtij parimi.

Fatkeqësisht ndryshimet në ligj nuk janë mbështetur mbi këto praktika të vendeve të lira dhe demokratike duke i dhënë AMA, një institucioni të pavarur parlamentar ndër të tjera edhe kompetenca për vlerësimin e përmbajtjes editoriale të mediave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re