Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë i ka konsideruar baltosje dhe gënjeshtra akuzat në drejtim të ambasadores Juri Kim, teksa në një reagim ekskluziv për Vizion Plus theksohet se kjo formë sjelljeje bën pjesë tek taktikat e vjetra, që nuk janë të denja për një vend të NATO-s dhe që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian.

 

Në një përgjigje të marrë nga zyra e marrëdhënieve me publikun, thuhet gjithashtu se mbetjet e së kaluarës duhet t’i mbeten të kaluarës.

AMBASADA E SHBA

“Baltosja dhe gënjeshtrat për Ambasadoren e SHBA janë një taktikë e vjetër të cilën shqiptarët e njohin sepse është përdorur ndaj çdo ambasadori si mënyrë për të sulmuar politikën e SHBA. Këto metoda të vjetra janë të padenja për një aleat krenar të NATO-s, vend aspirant për në BE, dhe mik të vyer të Shteteve të Bashkuara. Këto mbetje të turpshme të së kaluarës duhet të mbeten në të kaluarën.”

 

Në një intervistë për emisionin e mëngjesit në Vizion Plus, deputeti demokrat Edi Paloka tha se ambasadorja Yuri Kim, mbështet Kryeministrin Rama për shkak të parave, që sipas tij, i merr në fund të muajit.

“Në 2021 thamë 1000 gjëra dhe ikëm e shkatërruam PD. Këtë herë nuk do lejojmë me të gjitha mënyrat që të vendoset rezultati i zgjedhjeve nga presione qeveritare dhe para mafie dhe inceneratorësh. Ata që do e bëjnë do japin edhe llogari për këtë.Reagimin e kanë bërë demokratët dhe shqiptarët që para një viti. E kanë marrë përgjigjen zonja McGonigal e të gjithë që i shërbejnë Ramës.Ata kishin si qëllim eliminimin e opozitës. Por ajo fazë ka kaluar. Demokratët janë përditë në betejë me Edi Ramën për të çuar në shtëpi Ramën dhe veglat e tij.Zonja pret këstin e fundit, se këtë ka bërë që ditën e parë që ka ardhur është vënë në shërbim të Ramës sepse merr diçka. Skandali McGonigal e bëri të qartë se si funksionojnë këto gjëra. Do ketë prapë mbështetje për Ramën që zonja të meritojë këstin e fundit”,

 

Ndërkohë, ish-Kryeministri Sali Berisha, në një postim në rrjetin social Facebook, shkoi edhe më tej duke nënvizuar se Yuri Kim ka gjithashtu prona në Shqipëri./Vizion Plus

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re