Ambasada amerikane në Tiranë ka njoftuar shtetasit amerikanë të jenë vigjilentë dhe të shmangin praninë e tyre në zonat e grumbullimit të turmave gjatë protestës së 16 shkurtit.

Në njoftimin e saj, Ambasada paralajmëron shtetasit amerikanë, e jo vetëm, të bëjnë kujdes veçanërisht në pikat e grumbullimit të njoftuara paraprakisht nga organizatorët e protestës.

“Një demonstrim pritet të zhvillohet më 16 shkurt 2019. Demonstruesit thuhet se do të mblidhen në mëngjes zonën e Zogut të Zi, Qytet Studenti, Stadiumi Selman Stermasi dhe vende të tjera rreth qytetit. Më pas do të shkojnë drejt Zyrës së Kryeministrit për t’u mbledhur rreth orës 11:00. Grupi synon të demonstrojë kundër qeverisë shqiptare. Kohëzgjatja e demonstratës është e panjohur”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Shtetasit amerikanë udhëzohen gjithashtu të informohen vazhdimisht nga njoftimet e medieve, të ruajnë vigjilencën ndaj njerëzve që i rrethojnë, të shmangin turmat dhe të ruajnë profil të ulët, për të mos rënë në sy si shtetas të huaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re