Zyrtarë apo ish-zyrtarë të akuzuar për korrupsion janë penalizuar nga ambasada amerikane në Tiranë me mohim ose revokim të vizës për në SHBA.

Pas debatit të zhvilluar në Parlament mes kryeministrit Rama dhe deputetit Sali Berisha për refuzimin e pajisjes me vizë amerikane, gazeta Panorama jep më shumë informacion nga ambasada sa i takon ndryshimeve në regjimin e vizave për zyrtarët apo ish zyrtarët e lartë.

Zyra e shtypit shprehet se për zyrtarë publikë ka kontrolle shtesë për rastet kur ka pretendime për korrupsion ndaj tyre.

“Ambasada e ShBA vazhdon të ushtrojë autoritetin e saj për të mohuar dhe revokuar viza bazuar në informacione që tregojnë se një individ mund të jetë i papranueshëm në ShBA dhe do vijojë të përdorë këtë autoritet për të dërguar përpara përpjekjet antikorrupsion në Shqipëri. ambasada do të vijojë të ushtrojë kontroll mbi vizat e aplikimet për vizë të zyrtarëve publikë me kontrolle shtesë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane në Tiranë.

Duke sjellë në vëmendje disa nga rastet e bujshme në Shqipëri të revokimit të vizave amerikane si ndaj deputetit Tom Doshi, apo ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla ambasada numëron 170 raste të mohimit të vizave për zyrtarët dhe familjarët e tyre.

“Që nga revokimi i vizave të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve në janar të 2017, ambasada iu ka mohuar vizat më shumë se 170 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve, bashkë me familjet e tyre. Pozicioni i ambasadës së ShBA kundër korrupsionit mbetet dhe synimit për t’ju mohuar hyrjen në ShBA zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar mbetet i pandryshueshëm”, përfundon përgjigjen e saj ambasada amerikane në Tiranë.

Zbardhur nga gazeta Panorama   

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re