Nën kujdesin e Bashkisë Kukës dhe mbështetjen e Ambasadës Bullgare në Shqipëri, folklori i pasur bullgar erdhi përpara publikut kuksian nën interpretimin e Ansamblit të Valleve Popullore Bullgare “Vangeloff”.
Artistët performuan valle me motive dhe muzikë të traditës bullgare, me tematika të larmishme dhe koreografi që kanë hyrë në “Fondin e Artë” të trashëgimisë Bullgare.
Në skenën e Pallatit të Kulturës “Hasan Prishtina” performoi edhe grupi artistik i Shishtavecit me disa koreografi folklorike nga treva e gorës.
Koncertin e ndoqën nga afër Nënkryetari i Bashkisë, Z.Dileman Nela dhe Ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Z.Momtchil Stoyanov Raytchevski të cilët përshëndetën pjesmarrësit në këtë koncert festiv dhe vlerësuan bashkëpunimin mes dy palëve.
Ky koncert u organizua me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Bullgarisë, nga Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Shqipëri dhe Konsulata e Nderit e Republikës së Bullgarisë në bashkëpunim me Bashkinë Kukës.



