Brenda muajit korrik, zyrtarizohen 12 ambasadoret e rinj që do të përfaqësojnë Shqipërinë në rajon dhe në disa shtete të tjera. Lista e ambasadoreve ka mbërritur ne kuvend dhe pritet të kalojnë filtrin e Komisionit të Jashtëm deri në datën 19 korrik. Bie ne sy se qeveria ka vendosur te ndryshoje ambasadorët në Kosovë e Serbi.

Në Kosovë Kryeministri Edi Rama ka përzgjedhur ish-kandidatin për deputet të PS-së, Petrit Malaj, ndërsa në Serbi do të jetë ambasador Bardhyl Canaj, ish ambasadori ynë në Izrael. Oljan Kanushi, i cili vjet u emërua si nëndrejtor i Shërbimit Informative Shtetëror do të jetë ambasador në Slloveni.

Mes emrave të ambasadorëve janë diplomatë karriere si, Qirjako Qirko, i cili do të jetë ambasador në Hungari, Artur Kuko në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta dhe Sokol Dedja në Danimarkë.

Pak ditë më parë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi 11 ambasadorë të rinj në disa vende të Evropës dhe SHBA. Një aktor i njohur dhe një drejtues i shërbimit sekret, ndodhen në listën e 12 emrave të rinj, të cilët qeveria i propozon për ambasadorë të Shqipërisë.

Petrit Malaj, i cili ka nisur herët një karrierë politike pranë Edi Ramës, pasi nuk e çoi dot rrugën për të hyrë në parlament si deputet i Tropojës, ka marrë besimin e kryeministrit për të qenë ambasadori ynë në Kosovë.

Qemal Minxhozi do ta lërë këtë detyrë, në kulmin e një marrëdhënieje të krisur thellë, mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit, të cilëve nuk ju funksionojnë më jo vetëm linjat diplomatike, por siç thotë edhe shefi i qeverisë sonë, as “Whatsapp”- i.

Në të njëjtën listë, ndodhet edhe propozimi i Ramës për një ambasador të ri në Serbi. Por në këtë shtet, Rama nuk ka zgjedhur si për Prishtinën një aktor. Në Beograd do të shkojë diplomati i karrierës, Bardhyl Canaj, i cili ka shërbyer në Izrael. Në listën e ambasadorëve të rinj, bie në sy edhe Oljan Kanushi. Ish këshilltar i Ramës, që aktualisht është numri dy i shërbimit informativ shtetëror.

Ai propozohet për të shërbyer në Slloveni. Krahas tij, Genc Pecani dërgohet për një mision diplomatik delikat. Ambasadori i karrierës, propozohet për në Rusi. Lista tjetër e dërguar në Kuvend, mbizotërohet nga diplomatë karriere, dhe promovime brenda sistemit, ndryshe nga grupi i parë, ku Rama bëri ambasadorë ish-deputetë apo bashkëpunëtorë të tij të afërt. Kandidatët do të dëgjohen nga Komisioni i Politikës së Jashtme në Kuvend, e më pas do të dërgohen për firmë te Presidenti Bajram Begaj.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re