Ambasadori i BE-së Luigi Soreca, ka reaguar në lidhje me vrasjen nga policia të Klodian Rashës dhe protestat për këtë ngjarje të rëndë. Soreca shprehet se mendimet shkojnë për familjen e të riut, duke shtuar se dhuna nuk është zgjidhje.
Po ashtu ka reaguar edhe ambasadori gjerma Peter Zingraf ku shkruan se ngjarjet e ditëve të fundit janë shumë trishtuese.
Postimi i ambasadorit të BE-së Luigi Soreca: Shumë i pikëlluar nga ngjarjet e ditëve të fundit. Mendimet e mia janë me familjen e Klodian Rashës. Tani është thelbësore që kjo ngjarje tragjike të hetohet si duhet dhe të vendoset drejtësia, dhe shqetësimet e shprehura paqësisht të dëgjohen. Por dhuna duhet të shmanget në çdo rast, nga të gjitha palët.
Deklaratë e Ambasadorit Peter Zingraf: Ngjarjet e ditëve të fundit më mbushin me shqetësim dhe trishtim. Vdekja e të riut më ka prekur edhe mua shumë. Është e rëndësishme dhe e drejtë, që kjo ngjarje të zbardhet plotësisht. Mendimet e mia janë pranë familjes së viktimës.
Por ajo çka na mëson gjithashtu ky rast tragjik është – dhuna nuk mund të jetë zgjidhja. Ushtrimi i lirë i të drejtës për protesta është thelbësor për çdo demokraci. Por, edhe kur bëhet fjalë për gjëra shumë emocionale dhe elementare: vetëm protestat paqësore legjitimohen si demokratike. Unë i bëj thirrje të gjitha palëve, të heqin dorë nga dhuna.
/faxweb
