Ambasadori gjerman në Beograd Thomas Schieb, ka thënë se takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor me 29 prill është me qëllim përgatitjen e terrenin për dialogun ndërmjet Kosovës-Serbisë dhe për normalizimin e marrëdhënieve

 

“Ne shpresojmë se taksa do të hiqet shpejt dhe kështu do të krijohen kushtet për vazhdimin e dialogut. Është fakt se marrëdhëniet nuk janë të mira dhe se dialogu është ndalur, se nuk ka komunikim. Kjo duhet tejkaluar. Taksa duhet të hiqet dhe kështu të sigurohet vazhdimi i dialogut”.

 

Në një prononcim që ai ka bërë për mediat serbe në lidhje me qëndrimin e Gjermanisë për vazhdimin e dialogut pa marrë parasysh taksën, ambasadori gjerman është përgjigjur se në parim dialogu mund të vazhdojë, por sipas Blic, Berlini e kupton qëndrimin e Beogradit.

 

“Më 29 prill mund ta përgatisim terrenin për dialog mbi normalizimin dhe organizatorët e këtij takimi nuk dëshirojnë të transmetojnë pritje të mëdha.”

 

 

Ambasadori ka theksuar se Gjermania ka shumë rezerva për zgjidhjen e problemit Kosovë –Serbi përmes ndryshimit të kufijve.

 

“Mendojmë se ndryshimi i kufijve mund të ketë reperkusione për gjithë rajonin dhe për këtë arsye ne kemi rezerva të mëdha për këtë. Ekziston formati sipas të cilit zhvillohen bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me ndërmjetësim të BE-së. Përmes këtij takim, synojmë në ripërtëritjen e negociatave”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re