Ambasadori i Kosovës në Australi, Sabri Kiçmari, nuk e ka pranuar atë që e konsideron  fyerje e kryeministrit Haradinaj ndaj tyre si diplomatë.

Haradinaj pretendoi se ambasadorët e Kosovës në botë kërkojnë instruksione nga qeveria e për këtë “nuk ju vjen marre”, por njëri nga ata, Kiçmari nuk ja ka pranuar këtë.

“Në mbrojtje të dinjitetit tim profesional shfaqë indinjatën time publike ndaj deklaratës mosmirënjohëse të kryeministrit të Republikës së Kosovës. Dëshiroj të bëjë me dije se personalisht nuk kam kërkuar asnjë herë instruksione nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe as nga Kryeministri për dhjetë vite të shërbimit tim si ambasador (mbi pesë vite në Austri dhe afër pesë vite në Australi). Por, në deklaratën e mësipërme të Kryeministrit Haradinaj shpërfaqet padituria e tij për detyrat e ambasadorëve dhe sidomos për mënyrën se si informohen dhe informojnë ata.

Edhe pse personalisht nuk kam pasur nevojë të kërkoj instruksione, është krejt e natyrshme dhe e preferueshme që Qeveria e Republikës së Kosovës të pajisë me udhëzime të rregullta dhe specifike ambasadorët e Republikës së Kosovës, madje në mënyrë të koduar, ashtu siç bëjnë shtetet e tjera me traditë demokratike. Mbledhjet e Qeverisë janë të rëndësishme për informimin e ambasadorëve, por janë krejtësisht të pamjaftueshme. Reduktimi i marrjes së informacionit vetëm nga mbledhjet e Qeverisë dëshmon se Kryeministri nuk i ka të njohura ende mjaftueshëm detyrat e diplomacisë.

Dua ta informoj kryeministrin se në rrafshin teorik dhe praktik ambasadorët i kryejnë pesë funksione kryesore: Përfaqësojnë Republikën, negociojnë në emër të Republikës, vëzhgojnë dhe informojnë në lidhje me zhvillimet në vendin pranues, i mbrojnë interesat e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës dhe punojnë në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e ambasadorit Kiçmari.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re