Në një lidhje direkte për RTK-në nga Slavonski-Brod (Kroaci), ambasadori i Kosovës në Kroaci Gëzim Kasapolli, u shpreh se në bordin e autobusit që u aksidentua kishte 13 fëmijë. Fatmirësisht, asnjëri prej tyre nuk është në listën e 10 personave që ndërruan jetë.

“Për momentin ndodhem në spitalin e Slavonski Brodit. Këtu për momentin janë 44 persona që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, 8 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Disa prej tyre tashmë e kanë kryer operimin dhe gjendja e tyre është stabile”, ka thënë ambasadori Kasapolli.

Ambasadori tregoi se i ka vizituar të gjithë të lënduarit që ndodhen në spital dhe se ka nisur puna për identifikimin e viktimave dhe të plagosurve.

“Ne e kemi listën e të gjithë pasagjerëve dhe së bashku me autoritetet kroate jemi duke i identifikuar secilin veç e veç. Por disa janë në terapi dhe ende nuk kemi arritur të bëjmë identifikimin e tyre”, -tha ambasadori.

 “Sipas informatave që kemi kanë qenë diku 13 fëmijë në autobus dhe fatmirësisht asnjë prej tyre nuk është në listën e të vdekurve. Tani jemi duke e bërë studimin e moshës dhe identifikimin e tyre dhe posa ta kemi këtë informatë do ta ndajmë me opinionin”, shtoi Kasapolli.

Në lidhje me shkaqet e aksidentit, ambasadori tha se për momentin nuk ka qëndrim zyrtar nga autoritetet kroate.

Si ndodhi aksidenti me 10 viktima në Kroaci! Në autobusin me targa të Kosovës kishte dhe fëmijë

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re