-Ambasadori i Turqisë në Tiranë: Azerbajxhani meriton mbështetjen dhe simpatinë e justifikuar të Shqipërisë

Ambasadori i Republikës së Turqisë, në Tiranë, Murat Ahmet Yörük  në një intervistë mediatike ka komentuar konfliktin në Nagorni-Karabak, i cili ka qenë në agjendën e bashkësisë ndërkombëtare si një mosmarrëveshje e “zgjatur” e pazgjidhur për 30 vitet e fundit.

“Turqia i kushton një rëndësi të madhe zgjidhjes paqësore të këtij konflikti për dy arsye kryesore.

E para është se po ndodh në fqinjësinë tonë të afërt.

Arsyeja e dytë është marrëdhënia e veçantë midis Turqisë dhe Azerbajxhanit që është bërë zakon të përshkruhet si “dy shtete një komb”. Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se mbështetja jonë e qartë buron nga e drejta e Azerbajxhanit dhe pozicioni i tij i vendosur për të qëndruar brenda kufijve të së drejtës ndërkombëtare”, ka nënvizuar ambasadori turk.

“Sot, 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit është ende nën okupimin e Armenisë që nga viti 1993. Ky është shkaku kryesor i këtij konflikti dypalësh, i cili është gjithashtu fajtori kryesor i paqëndrueshmërisë në Kaukazin Jugor.

Për ata skeptikë në lidhje me pronësinë e Azerbajxhanit mbi Karabakun Malor dhe në cilën anë është “agresori” i vërtetë në këtë konflikt, mjafton të përmendim katër rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që u miratuan të gjitha në vitin 1993 kur shpërtheu konflikti”, ka thënë Yörük, ku një prej këtyre rezolutave citohet kështu: 

Rezoluta 822 e KSKB

“Vëren me alarm përshkallëzimin në luftimet e armatosura, dhe në veçanti, pushtimin e fundit të rrethit Kelbadjar të Republikës së Azerbajxhanit nga forcat vendase armene. Riafirmon gjithashtu paprekshmërinë e kufijve ndërkombëtarë dhe papranueshmërinë e përdorimit të forcës për përvetësimin e territorit”.

Nga ana tjetër, ambasadori turk në Tiranë, ka deklaruar më tej se: “Fushata dezinformuese e Armenisë synon të largojë vëmendjen nga pushtimi i saj i paligjshëm dhe paraqitjen si viktimë. Turqia i jep dhe do të vazhdojë t’i japë mbështetje të fortë politike dhe morale Azerbajxhanit. Sidoqoftë, Turqia nuk është palë në këtë konflikt dhe nuk është e pranishme në fushën e betejës.

Përveç fushatës së saj të dezinformimit, në një gjendje dëshpërimi të tërbuar, Armenia po intensifikon sulmet e saj ndaj popullsisë civile dhe infrastrukturës në Azerbajxhan, larg zonës së konfliktit. Armenia gjithashtu synon tubacionet e gazit dhe naftës, që kërcënon sigurinë e energjisë në një rajon më të gjerë, përfshirë Evropën.

Sulmi i saj i tubacioneve të energjisë drejt Jugut që arrijnë në Evropë duke kaluar përmes Gjeorgjisë, Turqisë, Bullgarisë, Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë, po e lënë Rusinë si furnizues të vetëm të energjisë për të gjithë Evropën. Sulmet e fundit nga Armenia në rezervuarin e digës “Mingechevir” dhe hidrocentralin e energjisë tregojnë se Armenia nuk e frenon veten. Duke shënjestruar qytetet dhe civilët jashtë tokave të okupuara të Azerbajxhanit, Armenia synon të provokojë Azerbajxhanin që të hakmerret ndaj saj”.

Yörük ka cituar se “Azerbajxhani meriton mbështetjen dhe simpatinë e justifikuar të dhënë nga aleatët tanë përfshirë Shqipërinë, si dhe partnerët evropianë për Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Moldavinë, në lidhje me konfliktet e Abkhazisë, Osetisë së Jugut, Krimesë, Donbasit ose Transnistrisë.

Qëndrimi në distancë të barabartë me të dyja palët, pavarësisht se kush është agresori, nuk është një kuptim i shëndetshëm i paanësisë dhe vetëm thekson dhe shpërblen të keqen”, është shprehur në mes të tjerave, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük gjatë një interviste mediatike, këtu në Shqipëri.

***

-Vizita e ministrit të jashtëm grek në Tiranë/ PDIU proteston para Ministrisë së Jashtme 

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet zhvilloi të martën një protestë para Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme lidhur me vizitën në Tiranë të kryediplomatit grek, Nikos Dendias.

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi tha se qëllimi i protestës është t’i tregohej ministrit grek se duhet të heqë ligjin e luftës me Shqipërinë.

“Shqipëria nuk ka 12 milje për t’ia dhënë Greqisë, nuk mund ta injorojnë gjenocidin e Çamërisë”, u shpreh Idrizi.

Ai tha se “tragjedia e shqiptarëve të Çamërisë sigurisht që dhemb sepse Shqipëria që kemi sot, është për shkak të sakrifikimit të Kosovës dhe Çamërisë. Do të vazhdojmë të protestojmë,  nuk mund të lejojmë të vijojë deviza e Serbisë dhe Greqisë, që “çka është e tyre është e tyre, çka është e Shqipërisë është e diskutueshme”.

Idrizi tha se “…Shqipëria me Greqinë ka për të biseduar vetëm për shelfin kontinental dhe zonën ekonomike. Jo për ujërat territoriale dhe ky është vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Çështjet kombëtare, heqja e ligjit të luftës, çështja çame, çështja e detit dhe shumë lëshime që kemi bërë për varrezat, për cencusin, për ligjin për toponimet, zgjidhen dhe do të marrin zgjidhje vetëm kur shteti shqiptar t’i trajtojë me dinjitet, me reciprocitet edhe me dije..”, tha ai.

Më pas protestuesit e PDIU-së u zhvendosën nga MEPJ-ja drejt Kryeministrisë aty ku ministri grek  zhvillojë një takim edhe me kryeministrin Rama.

Fillimisht, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti në një takim zyrtar në Tiranë, ministrin e jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.

Cakaj u shpreh pas takimit, se me homologun grek, vlerësuan bashkëpunimin mes dy vendeve dhe theksuan rëndësinë e zgjidhjes së të gjitha çështjeve dypalëshe.

Gjithashtu në takim, u theksua mbështetja e Greqisë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh arritjet domethënëse të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Për më tepër, sikurse bëri me dije kryediplomati Cakaj, Greqia do të mbështesë kandidaturën e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit 2022-2023.

Më pas kryediplomati grek, Dendias është pritur nga Kryeministri Rama. Pas takimit ata kanë zhvilluar një konferencë për shtyp.

Rama zbulon se bashkë me Dendias kanë rënë dakord që së bashku t’u drejtohen instancave ndërkombëtare për të zgjidhur problemin e detit të debatuar.

Më tej ai thotë se asnjë çështje nuk është e pazgjidhshme dhe nuk do të ketë asnjë pushtim të Shqipërisë nga Greqia nëpërmjet detit.

”…E kam shumë të qartë që të gjithë i kanë veshët e hapur lidhur me pushtimin e ardhshëm që Greqia do i bëjë Shqipërisë mes detit. Nuk do ketë pushtim. Më vjen keq që do zhgënjehen patriotët e detit. Mund ta them me kënaqësi sot, se kemi rënë dakord me Greqinë që këtë çështje ta trajtojmë në instanca ndërkombëtare. Do i drejtohemi së bashku drejtësisë ndërkombëtare…”, tha Kryeministri Rama.

Një moment i veçantë ishte edhe mbyllja e konferencës së përbashkët për shtyp, ku kryeministri Rama e falënderoi ministrin Grek në greqisht dhe turqisht, përkatësisht me shprehjet “…Efkaristo dhe Ejvallah…”.

***

-Ministrja e Arsimit, Kushi takon ambasadorin e Turqisë në Tiranë Yörük

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Republikës së Shqipërisë, Evis Kushi, ka realizuar një takim me ambasadorin e Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja Kushi ka theksuar se në takimin e zhvilluar me ambasadorin turk ka shprehur mirënjohjen e saj për ndihmën e popullit turk pas tërmetit të vitit të kaluar dhe gjatë pandemisë.
“Shpreha mirënjohjen e thellë për asistencën që populli mik turk ka dhënë sidomos kohët e fundit duke na mbështetur në forma të ndryshme menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit dhe gjatë pandemisë COVID-19. Miku i mirë, në ditë të vështirë”, shkruan Kushi.

Ajo thekson më tej se “Ambasadorit i përcolla gjithashtu falënderimet më të sinqerta për qeverinë turke në lidhje me bursat e akorduara çdo vit për studentët shqiptarë që shkojnë me studime në Turqi, sikurse ofrova gjithë gatishmërinë time personale dhe institucionale për të zhvilluar më tej projekte në interes të përbashkët të dy vendeve tona”.
***

-Banka Botërore mbështet Shqipërinë për ta bërë ekonominë më rezistente ndaj goditjeve 

Banka Botërore shprehet se do të mbështesë Shqipërinë të nxisë reformat që kontribuojnë në rritjen e ekonomisë së qëndrueshme, krijimin e më shumë vendeve të punës, si dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve.

Anna Bjerde, Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore u takua të hënën virtualisht me Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë dhe Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Ata diskutuan çështje të ndryshme mbi efektet e tërmetit 2019 dhe pandemisë së COVID-19, masat mbi politikat e nevojshme për të ndihmuar ekonominë të rimëkëmbet, si rreth programit të Bankës Botërore në Shqipëri.

“Banka Botërore do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë për ta bërë ekonominë e vet më rezistente ndaj goditjeve, si dhe do të nxisë reforma që do të kontribuojnë për një rritje ekonomike të qëndrueshme, krijimin e më shumë vendeve të punës, si dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve”- thekson BB.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re