Ambasadori amerikan në ikje, Donald Lu, tha se ndihej i skandalizuar nga fakti se krimi nuk ka mundur të bëhet zap këto vite.

Duke folur në Real Story në Vizion Plus, me Sokol Ballën përballë, Lu tha se treshja Fatmir Xhafaj, Arta Marku dhe Ardi Veliu do gjykohen një ditë për këtë.

“Unë, për vete, jam i skandalizuar që dy vjet e gjysmë pasi qeveria greke nxori urdhër-arrestin, ende nuk e kemi kapur Klement Balilin. Jam i skandalizuar që Lul Berisha lirohet herët nga burgu dhe që mund të ecë i lirë nëpër rrugët e Durrësit. Dhe jam i skandalizuar që këtë javë që keni gjyqin e Shullazit, ku Shullazi vetë ka kërcënuar gjykatës dhe prokurorë, aq sa prokurorët as nuk shkojnë në gjyq.  Si ka mundësi që ky vend të ecë përpara kur ndodhin këto gjëra? E di që Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku dhe Ardi Veliu do të gjykohen mbi faktin nëse do të jenë të aftë t’i vënë këta kriminelë pas hekurave”, theksoi Lu.

Gjithashtu, Lu tha se e kishte peng faktin që nuk pa “peshq të mëdhenj” pas hekurave sa qe në detyrë.

Ndërsa sa i përket nismës së opozitës për vetting në politike, ambasadori Lu dha një përgjigje ambige. “Djalli qëndron tek hollësitë”, ishte fraza e tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re