Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko, ka vlerësuar se situata në Kosovë është e rrezikshme, sepse mund të ketë shpërthim edhe më të madh të konfliktit dhe gjakderdhje të përtërirë, e më pas shtrirje të tensioneve në mbarë Ballkanin.

Bocan-Harchenko theksoi se asnjë nga problemet që u ngritën gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi nuk u zgjidh plotësisht, në mënyrë të besueshme dhe të drejtë.

“Dhe kjo është arsyeja pse pikat e nxehta mbeten. Përveç Kosovës, mund të përmend si shembull Bosnjën me Republika Srpska ku ka një kompleks të tërë problemesh që lidhen me atë pjesë të rajonit të Ballkanit”, tha Bocan-Harchenko për RT Balkan.

Ai pohon se BE-ja, por edhe Perëndimi në tërësi, vazhdimisht “kanë treguar një qasje të njëanshme për zgjidhjen e problemit, se tani, si shumë herë më parë, po mundohen t’ua hedhin të gjithë fajin serbëve”.

Bocan-Harchenko tha se ka presion të dukshëm ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe qeverisë në të gjitha frontet dhe se qëllimi i Perëndimit është të ndryshojë politikën e Serbisë.

“Dy gjëra janë jashtëzakonisht të nevojshme për Perëndimin: njohja apo mbështetja nga Serbia e sanksioneve antiruse dhe sigurisht njohja e Kosovës”, tha ambasadori rus.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re