Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim thotë se më 5 qershor, palët ranë dakord dhe kanë hartuar ligjet që kodifikojnë marrëveshjen për Kodin Zgjedhor ndërsa shtoi se aty nuk mund të ndodhin më ndryshime të tjera kur reforma të kalojë për miratim në Kuvend.

“Është e ndërlikuar sepse, mendoj, opozita që është jashtë parlamentit bëri një gabim. Nuk duhet të kishin ikur. Thënë kjo, ata fituan shumë vota në zgjedhjet e fundit pra qartësisht përfaqësojnë një pjesë domethënëse të popullsisë.

Pra duhet të jenë pjesë e diskutimit, ndaj mendoj se ishte diçka shumë e mirë që u kthyen në tryezë për të negociuar çështjen e reformës zgjedhore. Në të njëjtën kohë, opozita që qëndroi në parlament bëri saktësisht gjënë e duhur. Në një kuptim, ata shpëtuan demokracinë shqiptare.

Dhe sigurisht, shumica është shumica. Ajo që di është se më 5 qershor, palët ranë dakord dhe, me sa di, kanë hartuar ligjet që kodifikojnë marrëveshjen që arritën dhe kjo është diçka e mirë. Pritshmëria ime është që do ta ruajnë atë. Është e patjetërsueshme” – tha ambasadorja në një intervistë për “Real Story” në News24.

“5 qershori duhet të kalojë siç është. Nuk mund të hapet përsëri. Nuk mund ta bësh sepse do të ishte shkelje e shumë besimi të vënë. Dhe mendoj që nëse jep fjalën, si politikan, si diplomat, nëse nuk e mban fjalën, nuk ke asgjë. Ndaj pritshmëria ime është që udhëheqësit këtu do të bëjnë pikërisht atë që më thanë se do të bënin, që është miratimi i 5 qershorit.

Tani, e di po ashtu që për shumë njerëz, 5 qershori nuk mjafton sepse kur njerëzit flasin për ndryshim dhe reformën zgjedhore, duan sistemin e hapur. Dhe unë e kuptoj këtë, por siç e kam thënë më parë, e dini, synimi ynë i menjëhershëm është shumë specifik.

Është që të sigurohet që Shqipëria të hyjë në BE. Pjesa tjetër, nëse mund të arrihet një marrëveshje, mrekulli. Të bëhet. Por ajo që nuk duam është një situatë pengmarrjeje kur diçka që është ekstra mban peng diçka që është e nevojshme. Nuk mund të jetë dhe nuk mund ta mbështes këtë. Po them që marrëveshja, 5 qershori, është mbyllur dhe nuk mund ta hapim përsëri” – e mbyll Kim.

Deklarata e ambasadores vjen në një moment kur mazhoranca u shpreh e hapur për të diskutuar mbi marrëveshjen e arritur për të ndryshuar sistemin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re