Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka vizituar këtë të martë kampin e burgut të Spaçit. Përmes një postimi në rrjete sociale, diplomatja shkruan se ky vend është dëshmi e qartë e ligësisë së Enver Hoxhës dhe komunizmit.

Kim ka ndarë me ndjekësit dhe bisedën që ka pasur me një ish- të burgosur, Zenel Drangu i cili kaloi 18 vite në Spaç sepse ishte arratisur në Jugosllavi.

Ambasadorja shkruan se ai ka rrëfyer për ashpërsinë e përditshme që u shkaktohej njerëzve aty, nga rrahjet, puna skllavëruese, keqinformimi e deri te aktet imorale të sadizmit.

“Iu bashkova disa ambasadorëve sot në një vizitë në kampin e burgut politik në Spaç (“Reparti i Riedukimit 303”). Ky vend është dëshmi e qartë dhe e tmerrshme e ligësisë – nuk ka fjalë tjetër përveçse “ligësisë” – së Enver Hoxhës dhe komunizmit.

Ish i burgosuri Zenel Drangu, i cili kaloi 18 vjet në Spaç sepse ishte arratisur në Jugosllavi, na tregoi për ashpërsinë e përditshme që u shkaktohej njerëzve aty: rrahjet, puna skllavëruese, nxjerrja në kushte ekstreme të motit, keqinformimi, ngjallja e dyshimeve të ndërsjella, aktet imorale të sadizmit – të gjitha të krijuara për t’i zhveshur njerëzit nga dinjiteti, logjika dhe shpresa.

Spaçi duhet të ruhet, në përputhje me statusin e tij si një monument kombëtar shqiptar, për të kujtuar ata që vuajtën, për të nderuar ata që luftuan dhe për të na kujtuar të gjithëve ne se nuk duhet të lejojmë që kjo ligësi të ndodhë më kurrë”, shkruan ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re