Nga Namir LAPARDHAJA* –

Ambicia për pushtet, ndofta, është ndër dëshirat më të mëdha dhe më të forta të njeriut. Ajo i verbon njerëzit, i bën të vuvët, i errëson gjykimin dhe arsyen. Rastin më ekstrem të këtij shfrenimi ambicioz për pushtet na e ka dhënë mjeshtërisht Shekspiri tek tragjedia e tij “Makbethi”, ku Makbethi se bashku me vrasjen e mbretit Dunkan “…vrau edhe gjumin. Gjumin e pafajshëm…”

Që do të thotë se pas aktit të mbretvrasjes (në shtëpinë e vet dhe në gjumë, të prerë në besë), nuk do të ketë më qetësi. Vetëm një mjeshtër si Shekspiri (po ashtu, përafërsisht 2 shekuj pas tij edhe F. Dostojevski) do të na e përshkruante aq mjeshtërisht dhe do të futej aq thellë e aq me delikatesë në skutat e psikologjisë dhe ndërgjegjes njerëzore.

Kush ka lexuar Shekspirin dhe Dostojevskin gjithçka pas tyre që ka të bëjë me ambicien e pakufi dhe të pakuptimtë për pushtet, i duket krejtësisht amatore.

Një gjë duket qartazi: kushdo që e ka provuar, qoftë edhe një herë karrigen e pushtetit, do të bënte çmos që të rikthehej në të njëjtat pozita, pavarësisht rrugës dhe mënyrës.

Ambicia e sëmurë për pushtet, me ç’duket, është nga ato vese që njeriut i del me shpirtin, por jo më parë, dhe si e tillë ajo e stërmundon robin e shkretë në një “betejë” donkishoteske, pa e kuptuar edhe vet se rrota e historisë nuk mund të kthehet më pas.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re