Nga Kryesia e Kuvendit, Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla reagoi lidhur me ndryshimet kushtetuese që PD propozon për të realizuar reformën territoriale, atë zgjedhore, si edhe vetingun për politikanët.

Balla vlerësoi qasjen e opozitës dhe u shpreh se të gjitha propozimet e saj do të diskutohen dhe do të shihen me vëmendjen brenda detyrimeve kushtetuese, pa dhënë një përgjigje të qartë nëse mazhoranca do të pranojë apo jo vettingun e politikanëve dhe familjarëve të tyre.

“Jemi të hapur për të diskutuar propozimet e opozitës. Përshëndes qasjen e opozitës që vjen me propozime konkrete. Janë shumë çështje që duhen diskutuar. Ne do t’i shkojmë me vëmendje dhe do t’i diskutojmë me vëmendjen.

Kuvendi shumë shpejt do të ngrejë dhe një komision për reformën zgjedhore. E rëndësishme, që edhe në frymën e pr.raportit duhet të vazhdojmë të institucionalizojmë frymën e dialogut politik. Ritheksoj që çështja e ndryshimeve kushtetutese për zgjatjen e mandatit të KPK dhe KPA është një çështje teknike, për të garantuar një proces të njëjtë për prokurorët dhe gjykatësit.

Kjo nuk duhet të bëhet pjesë e debatit politik, kemi rënë dakord njëherë për këtë çështje në vitin 2016”, tha Balla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re