Marina e SHBA-së po përpiqet të arrijë një avion luftarak F-35C që u rrëzua në Detin e Kinës Jugore, në një aksident në të cilin piloti u përpoq të ulte avionin në aeroplanmbajtësen USS Carl Vinson.

Piloti arriti të katapultohej, por ishte mes shtatë personave të plagosur.

“Unë mund të konfirmoj se avioni preku pistën gjatë uljes dhe më pas ra në det,” tha toger Nicholas Lingo, një zëdhënës i Flotës së Shtatë.

I pyetur për të komentuar raportin e mediave se ekziston frika se një aeroplan shumëmilionësh mund të bjerë në duart e Kinës, Lingo tha: “Ne nuk mund të spekulojmë mbi qëllimet e Kinës në këtë çështje”.

Ky është incidenti i dytë i këtij lloji në dy muajt e fundit.

Në nëntor, një F-35 nga aeroplanmbajtësja britanike HMS Queen Elizabeth u rrëzua në Mesdhe dhe piloti u katapultua dhe u kthye në anije.

Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi se avioni u gjet.

Në fillim të këtij muaji, një F-35A e Koresë së Jugut u desh të ulej urgjentisht gjatë stërvitjes.

Në prill 2019, një F-35 japonez u rrëzua në Paqësor, afër Japonisë veriore, duke vrarë pilotin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re