Skip to content

AMF asiston Komisionin e Letrave me Vlerë të Ukrainës në procesin e përafrimit ligjor me kuadrin e Bashkimit Evropian 

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare,  Ervin Mete zhvilloi një takim online me Kryetarin e Komisionit të Letrave me Vlerë të Ukrainës, Ruslan Magomedov. Në fokus të takimit ishte bashkëpunimi në funksion të përafrimit të legjislacionit me Direktivat dhe kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian. Kjo edhe në dritën e zhvillimeve të fundit, ku Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit, ndërsa Ukrainës iu dha statusi i vendit kandidat nga Komisioni Evropian.

Takimi u zhvillua nën koordinimin e Bankës Botërore, e cila ka rekomanduar Shqipërinë për të dhënë eksperiencën e saj ndaj Ukrainës sa i përket procesit të përafrimit të legjislacionit me kuadrin e Bashkimit Evropian.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së shprehu gadishmërinë e Autoritetit për të ofruar të gjithë asistencën e nevojshme ndaj Komisionit të Letrave me Vlerë të Ukrainës.

Në cilësinë e negociatorit të kapitullit 9 “Shërbimet financiare”,  Mete parashtroi hapat e ndjekura deri tani nga Shqipëria në procesin e negociatave, si edhe e njohu Kryetarin e Komisionit të Letrave me Vlerë të Ukrainës, Magomedov, me një udhërrëfyes për hapat e nevojshme në funksion të përafrimit legjislativ dhe punës përgatitore në kuadër të negociatave të anëtarësimit. Me ndërmjetësimin e Bankës Botërore, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të asistojë Komisionin e Letrave me Vlerë të Ukrainës në procesin e përafrimit legjislativ me aquis të BE-së.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë