Organizata Ndërkombëtare e Amnistisë (Amnesty International – AI) njoftoi të hënën se i ka hequr Çmimin e Ambasadores së Ndërgjegjes lideres së Mianmarit, Aung San Suu Kyi.

Siç bëhet e ditur në faqen ueb të organizatës, Çmimi i Ambasadores së Ndërgjegjes, nderimi më i lartë i AI-së akorduar Suu Kyisë në vitin 2009, është tërhequr me motivin se “ ajo ka tradhtuar në mënyrë të turpshme vlerat që mbronte dikur”.

Udhëheqësja e Mianmarit u informua mbi këtë vendim me një letër që mban firmën e sekretarit të përgjithshëm të “Amnesty International”, Kumi Naidoo.

“Në cilësinë e Ambasadores së Ndërgjegjes së Organizatës Ndërkombëtare të Amnistisë, pritma jonë ishte që ju të vazhdonit ta përdornit autoritetin tuaj moral dhe politik për të folur kundër padrejtësisë kudo që ta ndeshnit atë, veçanërisht brenda Mianmarit vetë. Por jemi thellësisht të tronditur që ju nuk përfaqësoni më një simbol të shpresës, guximit dhe mbrojtjes së pavdekshme të të drejtave të njeriut”, shkruan Naidoo në letrën drejtuar Aung San Suu Kyisë.

Kreu i AI-së nënvizon se ish-ikona e të drejtave të njeriut jo vetëm që i ka braktisur vlerat që promovonte për dekada, por edhe ka “zgjedhur të mbyllë sytë ndaj shtypjes brutale dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera nga ushtria ndaj myslimanëve rohingianë dhe pakicave në Kaçin e në shtetin Shan, por edhe ndaj intolerancës në rritje kundër lirisë së shprehjes”.

“Amnesty International” kritikoi gjithashtu administratën e Aung San Suu Kyisë se ka dështuar të shfuqizojë ligjet që promovojnë shtypjen, përfshi këtu disa që u përdorën për të burgosur vetë atë dhe të tjerë avokatë prodemokracisë.

E vlerësuar në vitin 1991 me Çmimin Nobel të Paqes, udhëheqësja e Mianmarit u nderua edhe nga AI-ja me Çmimin Ambasadore e Ndërgjegjes në 2009-n, teksa vuante masën e arrestit shtëpiak.

Suu Kyi, e cila ka heshtur kundër mizorive të ushtrisë së Mianmarit ndaj myslumanëve të Arakanit dhe ka mbrojtur vendimin për të ndjekur penalisht e burgosur dy gazetarë të agjencisë “Reuters” për dokumentimin e masakrës ushtarake në Mianmar, në tetor të këtij viti humbi shtetësinë e nderit të Kanadasë, një tjetër vlerësim që i ishte dhënë në vitin 2007.

Ndërsa në mars, Muzeu Përkujtimor i Holokaustit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i anuloi asaj Çmimin “Elie Wiesel” për qëndrimin e saj të heshtur karshi shtypjes dhe dhunës ushtarake ndaj myslimanëve arakanas në Mianmar.

Këshillat bashkiakë të Oksfordit në Angli dhe Dublinit në Irlandë tërhoqën gjithashtu në vitin 2017 dekoratat përkatëse të Urdhrit të Lirisë, të cilat i ishin akorduar Suu Kyisë më parë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re