Kryeministri Edi Rama ka sqaruar midis kritikave për marrëveshjen e refugjatëve me Italinë, që e shndërron Shqipërinë në një vend pritës të emigrantëve që vijnë nga Deti Mesdhe, se në fakt ky pakt do të funksionojë njëlloj siç ndodh në qendrat në Greqi.

Në një intervistë për televizionin francez ‘France 24’, kryeministri thotë se nëse kjo marrëveshje do të ishte bërë nga një vend i BE-së nuk do të ishte më lajmi i ditës.

“Nëse ngremë pikëpyetje për metodën, duhet të ngremë pikëpyetje për gjithë Bashkimin Evropian”, vijon ai.

Krahas marrëveshjes, Rama u pyet edhe për procesin e integrimit dhe për mënyrën se si mund të zgjerohet Bashkimi Evropian në një kohë kur tensione të forta mbizotërojnë në rajonin e Ballkanit duke iu referuar konfliktit Kosovë-Serbi.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se pikërisht konflikte të tilla janë arsyeja për tu integruar.

“Nga pikëpamja gjeopolitike do të ishte vetëvrasje për Bashkimin Evropian nëse do të përjashtonte rajonin apo disa vende”, nënvizon ai.

Pjesë nga intervista e kryeministrit në France 24:

– Përse kjo marrëveshje surprizë që i kapi të gjithë në befasi?

Kryeministri Edi Rama: Duhet theksuar një arsye shumë e thjeshtë. Është e vërtetë që Shqipëria nuk është ende vend anëtar i BE, por është vend plotësisht evropian, fqinj me Italinë, dhe sikur e njëjta marrëveshje të ishte bërë me një vend  të BE, nuk do të ishte fare lajm i ditës. Por fakti që kjo  marrëveshje bëhet me një vend jo anëtar shkakton, jo vetëm lajm, por dhe teori konspiracioni dhe dyshime që nuk janë serioze, për mua. Nëse ngremë pikëpyetje për metodën, duhet të ngremë pikëpyetje për gjithë Bashkimin Evropian, duhet të ngremë pikëpyetje për metodën në gjithë vendet e BE, sepse këto qendra pritjeje nuk janë gjë e re. Bëhet fjalë për një qendër pritjeje që është standard në të gjitha vendet e BE.

– Vetëm se është e eksternalizuar, sikurse e thatë mirë, jashtë territorit të BE. Edhe në vendin tuaj ka ngjallur habi kjo marrëveshje, më tepër se 30.000 emigrantëve që mund të mbërrijnë në vit në një nga qendrat e pritjes do të vendoset në zonën e Shëngjinit 75 km larg Tiranës.  Disa shqiptarë kanë frikë se kjo masë do të vërë në rrezik industrinë e turizmit lokal.

Kryeministri Edi Rama: Përse duhet të skandalizohemi nëse është e eksternalizuar nga një vend i Bashkimit Evropian në një vend plotësisht evropian që është fqinj me këtë vend evropian? Nuk duhet të skandalizohemi nga kjo, duhet të mendohemi si të reagojmë të gjithë ndaj këtij fenomeni që është gjithnjë e më i madh dhe që askush nuk i ka dhënë përgjigje. Ndoshta qendrat e pritjes nuk janë zgjidhja e vërtetë, por nuk na takon neve t’i japim mend Evropës. Ne thjesht po i japim një ndihmë të vogël një vendi jo vetëm fqinj, por me të cilin jemi të lidhur thellësisht prej një kohe të gjatë. Nga ana tjetër, duhet të them se nuk bëhet fjalë për 36 000 njerëz, por për një qendër pritjeje me 3000 vende në dispozicion. Kjo do të thotë që do të ketë 3000 njerëz në Shqipëri dhe asnjë më tepër, nëse ka rotacion kjo është diçka normale, mund të ketë më tepër njerëz që priten dhe të cilëve u shqyrtohet kërkesa në Shqipëri. Por janë 3000 njerëz. Dhe nuk mendoj se këta 3000 njerëz do të tronditin industrinë e turizmit. Sepse kemi strehuar tashmë 4000 e ca afganë…

-Në 2021. Ju jeni social – demokrat, kur OJF si Amnisti Internacional e konsideron këtë marrëveshje të paligjshme me pasoja shkatërruese për emigrantët që mund t’i nënshtrohen një izolimi të gjatë dhe dhunimeve të tjera, kjo marrëveshje që përjashton vetëm fëmijët dhe gratë shtatzëna, nuk keni frikë se do të ndihmojë zhvillimin e trafikut shqiptar të qenieve njerëzore?

Kryeministri Edi Rama: E gjithë kjo më duket e vështirë për t’u kuptuar. E përsëris, kjo nuk është e vetmja qendër pritjeje në Evropë, ka të njëjtin standard dhe natyrë si ato në Greqi. Greqia është vend anëtar i BE dhe nuk e di nëse ka ndonjë dallim dhe ku e shohin dallimin ata që kritikojnë. Dhe 3000 njerëzit që do të vijnë në Shqipëri në qendrën pritëse të bëhen shkas për refrenin e vjetër të historive me mafiozë, me trafikantë, me të drejtat e njeriut e të tjera si këto, nuk është serioze. Duhet të mendojmë më në thellësi për këto gjëra, duhet gjetur zgjidhje …

– Ndoshta një zgjidhje evropiane shumëpalëshe, ndoshta ajo që habiti ishte fakti që ishte marrëveshje dypalëshe.

Të flasim pak për vendin tuaj, Banka Botërore parashikon një rritje prej 3.6% për vitin 2023 që është pak në rënie në fakt. Komisioni propozon një plan rritjeje për Ballkanin prej 6 miliard euro,  2 miliard subvencione pjesa tjetër në formë huaje. Ku mund të investohet me prioritet?

Kryeministri Edi Rama: Unë jam i kënaqur me faktin që ekonomia shqiptare konsiderohet nga Institucionet financiare ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, si një ekonomi me rezistencë të veçantë. Në kohën e krizës së çmimeve, të krizës energjisë etj, kemi patur inflacionin më të ulët të rajonit dhe nga ana tjetër filluam këtë vit, do të vazhdojmë edhe vitin tjetër, me një rritje të rëndësishme të pagave, çka do ta çojë pagën mesatare në sektorin publik në 900 euro. Deri para 5-6 vitesh kjo ishte diçka e papërfytyrueshme. Nga ana tjetër, shpresojmë shumë tek Bashkimi Evropian dhe plani i rritjes sepse kjo është e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin.

– Ju keni përshtypjen se Komisioni Evropian, vendet evropiane janë më të bindur për interesin gjeopolitik të integrimit të vende të Ballkanit, por mbeten ende problemet mes tyre, sidomos mes Serbisë dhe Kosovës, me tensione shumë të dukshme. Si mendoni se mund të zgjerohet Klubi i 27 vendeve me vende që kanë ende tensione të forta mes tyre?

Kryeministri Edi Rama: Ndoshta, është ajo që thatë ju, dhe me të drejtë. Ndoshta kjo është një arsye më tepër për t’i integruar. Nga pikëpamja gjeopolitike do të ishte vetëvrasje për Bashkimin Evropian nëse do të përjashtonte rajonin apo disa vende. Duhet të bëjë të kundërtën e kësaj, duhet të përfshijë dhe të bashkojë sepse është mënyra e vetme për të arritur paqen përfundimtare në rajon. Po, ka herë pas here probleme, ka goditje dhe kthime pas, por kuadri i përgjithshëm i rajonit është shumë më i mirë se sa para 10 vjetësh. Dhe kjo falë Bashkimit Evropian dhe tërheqjes që gëzon Bashkimi Evropian në këto vende.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re