VALENTINA MADANI/ Mazhoranca socialiste dhe demokratët e Sali Berishës gjetën dakordësinë për të votuar draftin e “Amnistisë Penale”.

Përjashtimi i zyrtarëve të lartë që janë hetuar nga SPAK dhe falja e protestuesve opozitarë janë dy pika për të cilat është negociuar dhe u arrit konsensusi mes palëve. Para zhvillimit të seancës plenare, grupi parlamentar i “Rithemelimit” publikoi amendamentin që i hap rrugë bashkimit të votave me socialistët.

Opozita kërkon që të vendoset një klauzolë ligjore që nga “Amnistia”, qoftë në falje apo ulje dënimi, të mos përfitojë asnjë person që është dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Kemi propozuar amendamentin me katër nene për shqyrtim në seancë plenare, me miratimin apo aprovimin e të cilave do të votojmë pro amnistisë penale për të burgosurit”, theksoi demokrati Gazmend Bardhi.

Mësohet se amendamenti “Bardhi” do të pranohet, duke prodhuar në këtë mënyrë edhe numrin e duhur të votave për miratimin e amnistisë nga e cila përfitojnë rreth 700 të burgosur dhe 2 mbi dy mijë persona në shërbim prove. Nga pakti polik i socialistëve dhe “Rithemelimit” u ngritën edhe dy komisione hetimore, por nga ai për shëndetësinë u përjashtuan dy kontrata koncesionare, ai për dializën dhe shërbimin e laboratorëve, të cilët kanë lidhje me Spitalin Amerikan dhe biznesmenin Klodjan Allajbeu. Gazmant Bardhi sqaroi se përse nga katër koncesione të kërkuara, u pranua që të hetoheshin vetëm 2 kontrata.

“Ka qenë një kërkesë e mazhorancës që një komision hetimor do duhet të ketë një kontratë koncesionare. Ka pasur një tërheqje prej tyre dhe është rënë dakord të ketë dy. Grupi ynë ka propozuar shkurtimin e afatit dhe në katër muajt e parë do të hetohen dy koncesione dhe menjëherë me përfundimin e tyre të këtij komisioni, do të kërkohet ngritja e një tjetër komisioni hetimor për koncesionin e laboratorëve dhe dializës”, tha Bardhi. Po dje, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, përshëndeti vendimin e opozitës, e cila deklaroi se do të votojë pro “Amnistisë Penale”.

Me anë të një postimi në “Facebook”, Manja shkruan se më në fund opozita mori vendimin për të votuar pro “Amnistisë Penale”, e cila u vonua si asnjëherë tjetër nga axhenda politike të turbullta që e morën peng këtë akt kushtetues mëshire të shtetit, duke dëmtuar afro 700 përfituesit e kësaj amnistie.

“Përshëndes vendimin e opozitës për të miratuar më në fund ‘Amnistinë Penale’, e cila u vonua si asnjëherë tjetër nga axhenda politike të turbullta që e morën peng këtë akt kushtetues mëshire të shtetit, duke dëmtuar afro 700 përfituesit e kësaj amnistie. Me kënaqësi të veçantë konstatova se opozita mbështeti variantin e amnistisë së propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria Shqiptare, ku as nuk bëhej fjalë për amnistimin e subjekteve të SPAKut e të Gjykatës Speciale. Së fundmi nuk e fsheh dot kënaqësinë që siç e pata deklaruar publikisht për mediat përpara Kuvendit – kur turbullia e një pjese të Parlamentit e bënte amnistinë të dukej e pashpresë – ‘Amnistia Penale’ do të marrë të gjitha votat e deputetëve! Nuk thotë kot populli, i duruari i fituari dhe le të shërbejë ky zhvillim pozitiv edhe për ata që s’kanë pse ikin më nga tavolina e punës, për të marrë rrugë të shkurtra që s’çojnë askund dhe si përfundim për t’i dalë gjatë rikthimit në tavolinë”, shprehet ministri Manja.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re