Socialistët kaluan dje vetëm me votat e tyre në Komisionin e Ligjeve draftin e integruar të “Amnistisë Penale”, ku janë përfshirë edhe disa nga propozimet e Enkelejd Alibeajt dhe Bledion Nallbatit.

“Qoftë të dënuar apo atyre që janë në ndjekje penale, gjatë tubimeve ose protestave politike, ky propozim është pranuar”, theksoi ministri Ulsi Manja.

Por, vetë Alibeaj që u bë pjesë e mbledhje së zhvilluar “online” mohon që propozimet e tij të jenë marrë parasysh.

“Nga amendamentet tona s’keni të drejtë të fusni duart. O pranohen, o s’pranohen”, – tha Alibeaj.

Alibeaj kërkoi më shumë kohë për të shqyrtuar propozimet e mazhorancës, çka nuk u pranua nga socialistët të cilët kanë dorëzuar këtë dokument prej tre muajsh dhe janë të vendosur ta kalojnë për miratim në seancën e kësaj të enjteje.

“Të miratohet një ligj me shumicë të cilësuar me peshkim votash individuale në Parlament, unë nuk ua këshilloj”, – deklaroi Alibeaj.

“Tani të çohet edhe pjesa tjetër e opozitës dhe të thonë që duan të amnistohen edhe ata që shkuan te selia e PS-së, njëra palë kundra palës tjetër. Tjerat pastaj janë pazare dhe allishverishe”, – theksoi ministri Manja.

Një nga ndryshimet që iu bë draftit fillestar me propozim të opozitës është dhe zgjatja e afatit kohor për veprat që përfitojnë amnisti deri më 31 janar të 2024, ndërkohë që është zgjatur dhe afati për kohën e mbetur të dënimit për veprat penale që amnistohen për gratë nga 4 vite zgjatet në 5 vite dhe për burrat nga 3 në 4 vite.

Amnistia penale që të miratohet në Parlament kërkon 84 vota që shumica socialiste nuk i ka, nuk dihet nëse deri të enjten do të arrihet një dakordësi me grupimin e Bashës, që në parim është shprehur pro këtij projektligji.

DISKUTIMET

Në diskutimet e bëra “online” në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, foli për propozimet që ka bërë PD për çështjen. 3150 të dënuar do të përfitojnë nga kjo amnisti në rast se ajo miratohet, po sipas Manjës, kjo vlen për të gjitha kallëzimet e depozituara në Prokurori deri në datën 31 janar 2024.

Ai theksoi se është pranuar propozimi i deputetit Enkeled Alibeaj, që lidhet me të dënuarit për veprën penale “pjesëmarrje në tubime apo protesta”. “Për personat që janë dënuar ose janë në ndjekje penale gjatë tubimeve apo protestave politike të organizuara nga 1 tetori 2018 deri më 31 gusht 2020.

Ky propozim është pranuar, por jo duke përcaktuar limitin kohor. Kjo do të shtrihet deri më datën 31 janar 2024, këtë kategori nuk mund ta lidhim me një periudhë kohore. Sigurisht është pranuar dhe për veprat që lidhen me tubimet dhe protestat, këtu kam para sysh veprat penale bazike që lidhen me organizimin e protestave. Pra, veprat që janë kundër rendit dhe sigurisë publike, organizimi dhe pjesëmarrja në manifestime të paligjshme është pranuar i gjithi.

Neni tjetër, “organizimi i tubimeve të paligjshme me pjesëmarrje të personave të armatosur kemi pranuar paragrafin e parë e të dytë, se janë vepra që dënohen deri në 3 vjet burg. Këto kanë qenë pjesë propozuese të deputetit Enkeled Alibeaj”, – tha Manja. Ministri vuri bëri me dije: se: “Nuk kemi pranuar veprën penale ‘Goditja për shkak të detyrës’, e kemi kriter ndalues, por për të gjitha kategoritë e subjekteve, jo vetëm për personat që kanë marrë pjesë në tubime apo protesta. Qoftë ata që janë në ndjekje penale, për shkak të rrezikshmërisë shoqërore që kanë këto vepra, por edhe duke u nisur nga parimet që ka kjo amnisti, ne nuk e kemi pranuar. Po ashtu, shkatërrimi i pronës me zjarr, as këtë nuk e kemi pranuar. Është akt mëshire, por duhet të jemi të kujdesshëm sepse interferon në sistemin e drejtësisë. Duhet mbrojtur sistemi publik, për këto kemi mbajtur linjën që kishim”.

Më tej, një tjetër amendament i pranuar është ai i deputetit Bledion Nallbati, që ka të bëjë me zbritjen e dënimit. “Është pranuar dhe një amendament tjetër që është propozuar nga deputeti Bledion Nallbati, e kemi pranuar për të siguruar dhe barazi në trajtim, kjo ka të bëjë kryesisht me zbritjen me një vit të dënimit për burrat dhe një vit e gjysmë për gratë e vajzat”.

– u shpreh Manja. Nga “Amnistia Penale” nuk marrin asnjë përfitim personat e dënuar me burg të përjetshëm. Nuk përfitojnë plotësisht nga amnistia personat e dënuar për “goditje ndaj efektivëve të policisë”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re