Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka pezulluar nga detyra 3 punonjës policie të Forcës së Posaçme Shqiponja.
Këta policë, më datën 8 maj 2025 kanë dhunuar shoferin e një automjeti, duke e bërë për spital. E.T., D.G., dhe E.N., sipas AMP-së kanë kanë kaluar në veprime arbitrare pasi kanë ndaluar shoferin e makinës, duke e dhunuar, shtetasin R.Z., i cili u dërgua te spitali i Traumës për trajtim mjekësor.
Urdhërin për pezullimin nga puna të 3 policëve e dha Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, për veprën penale “Kryerje e veprimeve arbitrare në bashkëpunim”.
Njoftimi i AMP-së:
AMP pezullon 3 punonjës policie të Forcës së Posaçme Shqiponja.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka zbatuar urdhërin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për tre punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kryerje e veprimeve arbitrare në bashkëpunim”.
Inspektor E. T., me detyrë Trupë Shërbimi, Seksioni “Shigjeta”, në sektorin e Forcës së Posaçme Shqiponja.
Inspektor D. G., me detyrë Trupë Shërbimi, Seksioni “Shigjeta”, në sektorin e Forcës së Posaçme Shqiponja.
Inspektor E. N., me detyrë Trupë Shërbimi, Seksioni “Shigjeta”, në sektorin e Forcës së Posaçme Shqiponja.
Caktimi i masave të sigurimit personal u bë i mundur në funksion të procedimit penal të vitit 2025 në lidhje me ngjarjen e datës 08.05.2025 rreth orës 19:30, punonjësit e policisë kanë ndaluar një automjet me drejtues shtetasin R. Z., dhe me veprime arbitrare kanë kaluar në konfrontim fizik, ku për pasojë drejtuesi i automjetit është dërguar në Spitalin Universitar të Traumës për trajtim mjekësor.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].
Për ankesa me Whatsapp 0694151511