Nga: Hoxhë Alban Gorishti

Çfarë është në thelb analfabetizmi fetar? Është ai fenomen modern sekularist i cili trumbeton idenë se feja duhet të jetë çështje private që s’duhet të ndërhyjë në çështjet publike pra njëfarë indeference e fesë brenda vet trupit të kësaj të funidt qoftë në nivel intelektual por edhe klerikal. Pra një tendencë për ta sekularizuar besimin fetar nëpërmjet vet termave religjozë. Pra njëfarë angazhimi i aktorëve apo faktorëve për të zveshur diskursin fetar nga tradita gjuhësore tradicionale duke i shprehur shumë prej dispozitave të saj gjithmonë me një strategji dhe terminologji të re verbale. Kështu besimi në botën tjetër largohet tërësisht nga vëmendja dhe vendin e shumë prej dimensioneve teologjik zvendësohen me fjalë dhe ligjërime të përcipta dhe gati gati laike, kështu vendin e shumë të vërtetave e zënë terminologji përgjithësuese të cilat fokusohen në koncepte të tilla si, dashuria, paqja, njerzillëku, bamirësia, etj. Nga ana tjetër së bashku me këtë fenomen kemi një përhapje kaotike të “vlerave” si dhe një nevojë e shprehur për spiritualitet por përmes grupëzimit, sektarizimit dhe një fenomeni hermetik i shumë OJF-sh.

Duket sikur ky copëzim I identitetit I shprehur në qëndrimet dhe ligjërimet e këtyre sekteve apo OJF-ve krijon dy logjika që bashkëjetojnë si të shkëputura: nga njëra anë, dimensioni social, bazuar në liri, të drejtat, individualizëm, punë dhe efikasitet dhe në anën tjetër, dimensioni personal brenda të cilit çdo njeri mundohet ta përcaktojë besimin e vet, t’i përcaktojë vlerat dhe ta organizojë jetën e vet shpirtërore. Kështu vropianët nuk e manifestojnë publikisht praninë fetare në jetën e tyre të përditshme, dhe shumica, ose jetësojnë pak prej fesë ose s’e zbatojnë fare atë.

Nga ana tjetër shumë klerikë në Evropë, shprehin frikën e tyre se shekullarizmi, siç konceptohet në shoqëritë industriale, mund të jetë një term ose perde pas të cilës fshihet realiteti i ateizmit dhe afetarisë. Në mendjet e shumë evropianëve, shoqëritë, përgjatë rrjedhës së historisë, e kanë çliruar veten prerazi prej zgjedhës shtypëse të fesë. Ata e përshëndesin këtë evoluim dhe e perceptojnë atë si proces të çlirimit të realizuar në emër të idealit dhe së drejtës së lirisë. Dominimi dhe ndi kimi i kësaj pikëpamjeje te njerëzit duket qartë, andaj është goxha vështirë që t’i rezistohet një furtune të tillë fuqishme që mbështetet nga media, filmi, reklamat dhe nga vetë mënyra e jetesës që pushton miliarda njerëz jo vetëm në Perëndim por edhe në të gjitha qytetet e mëdha anekënd botës. Procesi i ashtuquajtur i globalizimit, për disa mendimtarë s’është gjë tjetër pos uesternizimi i plotë i botës.

Ndërsa disa politikanë dhe akademikë kërkojnë nga muslimanët, në emër të ndërgjegjes kolektive, t’i bashkëngjiten varganit mbizotërues, ta trajtojnë besimin dhe normat fetare të tyre njësoj si evropianët. Me fjalë të tjera, të bëhen qytetar si Evropianët dhe të bëhen ithtarë të individualizmit, lirisë, të përfshihen në jetën shoqërore si qytetarë dhe jo si fetarë. Sa i përket besimit fetar dhe praktikave të tij, ato janë të karakterit dytësor dhe kanë të bëjnë me jetën private që nënkupton të fshehtën, të padukshmen dhe thuajse, inekzistenten. Pa marrë parasysh identitetin e muslimanëve ose atë që thonë ata për këtë identitet, është fakt se ky qëndrim të imponon të bëhet zgjedhje ndërmjet fesë dhe progresit, ndërmjet robërimit dhe lirisë, ndërmjet transformimit dhe ngeljes “prapa”, njëfarë analfabetizmi të imponuar në një botë ku tashmë analfabetizmi është çështje e të kaluarës, por kur bëhet fjalë për shkollimin religjoz ndoshta kësaj mëndësie i intereson të sekularizojë diskursi fetar dhe të transformojë qëndrimet dhe besimet, me pak fjalë ti lejë besimtarët në gjendjen e kaluar shekullore të analfabetizmit. Duke argumentuar me një nevojë të progresit dhe aftësimit të klerit dhe diskursit religjo, si dhe mos mbetjes prapa karvanit të progresit (sipas tyre), ata e ngushtojnë porosinë islame në vlera, manifestime teorike dhe morale, por të cilat që tani e tutje, janë në periferinë e jetës shoqërore. E kjo shpie në një indifgerentizëm masiv të muslimanëve si dhe largimin e praktikave fetare nga përditshmëria e tyre, një tjetërsim identitar. Andaj, identiteti musliman shndërohet në fjalime të përgjithshme që kanë të bëjnë me disa tipare kulturore dhe artistike që zbatohen vetëm në kohën e festave apo martesës, vdekjes etj.

Shpesh po ta shikosh në diskursin e sekteve të tilla OJF-ike dominon diskursi i formimit identitar dhe se ky formësim duhet të jetë më tepër racional në dritën e përparimit të mendimit dhe teknologjisë perëndimore. E kështu në institucionet e tyre përfaqësuese gjithçka flet për cilësinë dhe imazhin por shumë pak për fenë. Kjo sepse ata e mendojnë aktin hyjnor si akt tërësisht racional ndërsa dhuna (sipas tyre) që përcjell mendimi i kundërt me atë të tyre nuk është akt racional. Por ky është gabim tërësisht ideologjik i cili e ka rënjën në nëvlersimin e identitetit fetar vetjak dhe vlersimin e identitetit afetar sekularist.

Por Feja nuk mund të ndahet, as nga jeta shoqërore ngase feja ka ardhur për rregullimin dhe sistematizimin e marrëdhënieve shoqërore, rregullimin dhe lidhjen e njeriut me vëllain e vet njeri dhe me shoqërinë, bile edhe me tërë njerëzinë e gjithësinë. Po ashtu nuk mund të ndahet feja nga legjislatura, ngase feja përmban lidhje për rregullimet e jetës individuale dhe shoqërore me çështjet e lejuara dhe të ndaluara dhe me obligimin ndaj urdhrave të Allahut të Madhëruar. Të gjitha faktet dhe argumentet vërtetojnë qartazi se Islami është fe e shkencës, fe e qytetërimit dhe e progresit. Mjafton të kujtojmë ajetin e parë të Kuranit Famëlartë, me të cilin udhëzohet qartë Pejgamberi a.s. që të lexojë, sepse s’dinte të lexojë. Feja e udhëzon njeriun që t’i hulumtojë të vërtetat dhe rregullat që ka vendosur Zoti në tokë për dobitë e tij, dhe për ta falenderuar Zotin për udhëzimin, dhe në këtë mënyrë feja gjithmonë lidhet me shkencën pa kurrfarë ndarje në mes tyre me qëllime, mjete e synime.Ndaj identiteti ynë është sa “shkencor” po aq edhe religjoz, por ne jemi pasuesit e një pejgamberi ndërsa “sekularizmi i shoqatave” kërkon të jemi pasuesit e asgjësë.

Kur shkenca korri sukses kundër Kishës dhe kur e izoloi atë nga bota e qytetërimit, dijetarët e perëndimit morën guxim që ta përqafojnë shkencën e jo fenë dhe të kundërshtojnë çdo fe e çdo besim sepse mendonin që shkenca nuk mund të krahasohet me asnjë fe. Perëndimi dëshiron që edhe Islami të humbë ashtu siç e humbi Kisha konfliktin me ato. Këta të humbur që u mahnitën nga qytetërimi perëndimor e ndihmuan me sukses elitën e intelektualëve muslimanë, dhe kështu, disa prej tyre filluan të deklarojnë se Islami s’mund të ecë me progresin modern dhe filluan ta sulmojnë atë, madje e konsideronin si faktor të regresit dhe të injorancës së muslimanëve dhe të largimit të tyre nga qytetërimi dhe përparimi.

Ky trumbetim modernist i disave dhe i një pjese të atyre që në thelb akoma nuk e kanë të qartë identitetin e tyre fetar nga një anë dhe incitimit të analfabetizmit fetar nga ana tjetër , është në thelb si ajo historia që përmend Gazaliu në Ihjanë e tij, ku përmend dhe tregon se: Abdullah ibn Mesud r.a. thotë: “Një grup njerëzish u mblodhën për dhikër. U erdh shejtani me dëshirë që t’u prishë dhe ndërpres tubimin, por nuk ia arriti. Më pas, shejtani shkoi te një grup tjetër, e në atë takim njerëzit flisnin për dynjallëkun. Atyre ua prishi takimin, dhe ata u ngritën dhe filluan të rriheshin. Megjithatë, ata nuk ishin qëllimi i shejtanit. Atëherë, njerëzit nga grupi i parë (që ishin në dhikër) u ngritën dhe u morën me ndarjen e njerëzve të grupit të dytë. Pas ndarjes, ata e lanë takimin e vet dhe u shpërndanë, e ky edhe ishte qëllimi i shejtanit“.

Në këtë pikë unë të pyes , ku e ndjen veten në cilin grup? Ose më saktë cili prej instrumenteve që ka përdorur shejtani të përshtatet më shumë si grupacion i përdorur prej tij? Gjithsesi ta dish se qëllimi i shejtanit nuk është identiteti perëndimor por identiteti Universal Islam. Ndërsa qëllimi i tij është zhveshja maksimale e njeriut (qoftë lindor apo perëndimor) nga çdo lloj identiteti njerëzor e cila e lidh njeriun dhe shoqërinë me shkakun fillestar, e kështu të ngelet i përbuzur tamam si diçka e varur as me këta dhe as me ata! S’është e logjikshme të largohet Islami nga jeta, intelekti nga zemra, mendja nga instinkti, shqisat nga shpirti dhe energjia nga lëvizja. Ndaj mos u bë i pallogjikshëm….

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re