Skip to content

Analisti armen: Armenia duhet të bisedojë me Turqinë pa ndërmjetës

Shefi i Qendrës Analitike të Globalizimit dhe Bashkëpunimit Rajonal në Armeni dhe ish-deputeti i partisë Lëvizja Kombëtare Pan-Armene, Stepan Grigoryan, tha se vendi i tij duhej të zhvillojë takime me Turqinë dhe Azerbajxhanin, por pa praninë e ndërmjetësve si Rusia.

Në një intervistë për (AA), Grigoryan vlerësoi marrëdhëniet mes Turqisë dhe Armenisë pas Luftës së Dytë të Karabakut dhe efektet e konfliktit në rajon.

Grigoryan tha se pas Luftës së Dytë të Karabakut, u shfaq një mundësi për normalizim midis Turqisë dhe Armenisë.

“Armenia e ka humbur luftën dhe aktualisht është në një gjendje të dobët. Qeveria duhet të negociojë me Turqinë dhe Azerbajxhanin, por kjo duhet të ndodhë pa ndërmjetësues si Rusia. Procesi duhet të vazhdojë nëpërmjet negociatave dypalëshe dhe jo nëpërmjet bisedimeve shumëpalëshe”, shprehet Grigoryan.

Sipas tij, Turqia mund të jetë një alternativë ndaj Rusisë në rajon.

“Turqia është një vend i logjikshëm dhe i parashikueshëm. Unë nuk po bëj vlerësim bazuar në preferencat personale të politikës së jashtme të Turqisë. Turqia ndjek një politikë të jashtme serioze në përputhje me interesat”, shtoi Grigoryan.

“Turqia dëshiron të ketë autostrada dhe hekurudha për në Azerbajxhan, Armeni, Nakhchivan dhe Azinë Qendrore”

Duke vënë në dukje se kërkesa e Turqisë dhe Azerbajxhanit për hapjen e një “korridori” në rajonin Zangezur është e arsyeshme, Grigoryan tha: “Turqia dëshiron të ketë autostrada dhe hekurudha për në Azerbajxhan, Armeni, Nakhchivan dhe Azinë Qendrore. Me këtë, ajo dëshiron të jetë afër me vendet e rajonit me të cilat ka histori, kulturë dhe gjuhë të përbashkët. Kjo është shumë e kuptueshme. Nuk mund të themi se kjo është në kundërshtim me interesat e Armenisë. Rusia gjithashtu e mbështet këtë dhe po i bën presion Armenisë në këtë drejtim”.

Ai tha se termi “korridor” ka shkaktuar shqetësim në Armeni, pasi është krijuar një perceptim se kontrolli do t’u kalojë plotësisht turqve dhe rusëve.

“Ka kundërshtime për këtë nga qarqet nacionaliste. Ne jemi një vend demokratik. Të gjithë mund të shprehin mendimin e tyre. Qarqet e afërta me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev thonë se ajo që nënkuptohet me korridor nuk ka të bëjë me sovranitetin e Armenisë. Mendoj se Rusia po manipulon palët për këtë çështje dhe prandaj besoj se duhet të negociohet pa ndërmjetës”, thotë Grigoryan.

“Sot kemi një shans më të madh për të vendosur paqen”

Siç shprehet analisti armen, Turqia ka potencialin për të qenë një partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm për Armeninë.

“Mbështetja dhe aleanca e Turqisë me Azerbajxhanin është e kuptueshme dhe nuk është e hapur për diskutim. Duke bërë këtë, ajo njëkohësisht mund të krijojë një marrëdhënie të arsyeshme dhe të ekuilibruar me Armeninë. E njëjta gjë vlen edhe për Armeninë. Ne duhet të shikojmë mënyrën e vendosjes së kanaleve të drejtpërdrejta të marrëdhënieve me Turqinë dhe Azerbajxhanin, jo përmes Rusisë. Nuk them se kjo do të jetë e lehtë. Po, ka mosmarrëveshje për shumë çështje, por negociatat duhet të fillojë”, u shpreh ai.

Grigoryan kujton se çështja e Karabakut bllokoi procesin në bisedimet e para të normalizimit midis Turqisë dhe Armenisë.

“Azerbajxhani tani ka marrë shtatë rajone në Karabak. Ai kontrollon pjesën më të madhe të Karabakut, duke përfshirë Shushën dhe Hadrutin. Sot kemi një shans më të madh për të vendosur paqen. Tani palët mund të ulen në tryezë pa ndërmjetës”, tha Grigoryan.

“Rusia nuk është partner i besueshëm për ne, Turqia është më e besueshme”

Duke theksuar se shumë qarqe kritikuan Turqinë për dështimin e periudhës së protokolleve midis dy vendeve, Grigoryan tha: “Në çdo rast, edhe ne kemi bërë gabime. Lidhjet tona me Rusinë ishin shumë të ngushta dhe ata nuk donin që procesi të jetë i suksesshëm. Edhe pse dukej se mbështesnin nënshkrimin e protokolleve, unë me të vërtetë nuk mendoj se ishin të sinqertë në këtë çështje”.

Ai është i mendimit se Rusia nuk donte që Armenia të krijonte marrëdhënie të mira me Azerbajxhanin dhe Turqinë gjatë periudhës së protokolleve.

“Në atë kohë, siguria dhe ekonomia e vendit iu besua tërësisht Rusisë me një vendim të gabuar. Ndërkaq, në luftën e fundit, Rusia na tha: ‘Na falni, interesi ynë nuk është t’ju ​​mbrojmë për momentin’, dhe na lanë vetëm. Pavarësisht qëndrimit të Perëndimit, Armenia u pozicionua në favor të Rusisë në Kombet e Bashkuara, Këshillin e Evropës dhe Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD). Rusia e falënderoi, por ia ktheu shpinën Armenisë në Luftën e Karabakut”, tha Grigoryan, duke shtuar: “Rusia nuk është partner i besueshëm për ne, Turqia është më e besueshme”.

Ndryshe, më 30 nëntor, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një transmetim televizivi, duke folur për takimin e mbajtur më 26 nëntor midis presidentit rus Vladimir Putin, presidenti azerbajxhanas Ilham Aliyev dhe kryeministrit armen Nikol Pashinyan, dërgoi një mesazh për bashkëpunim.

“Me rastin e këtij takimi është zgjidhur edhe çështja e ndërtimit të hekurudhës dhe autostradës përgjatë lumit Aras. Së bashku me këtë hap që do të ndërmerret, është edhe çështja e autostradës që do të vijë deri në Iğdır. Çështja e autostradës do të jetë hap i suksesshëm veçanërisht për të kapërcyer problemin e Nakhchivan-it dhe nga ana tjetër, për takimin e Azerbajxhanit me Iğdır-in, duke kaluar nëpër territorin e Armenisë. Gjithashtu, një hap i rëndësishëm do të bëhet në transportin e njerëzve dhe mallrave si nga rrugët tokësore, ashtu edhe ato hekurudhore. Ne kemi sjellë në agjendë platformën gjashtëpalëshe më parë. Aktivizimi i kësaj platforme gjashtëpalëshe mes Rusisë, Turqisë, Azerbajxhanit, Armenisë, Iranit dhe, nëse pranohet, Gjeorgjisë, do të dëshmojë qartë paqen rajonale, ndërkohë që kemi mësuar se ka zhvillime pozitive në këtë drejtim”, u shpreh presidenti Erdoğan.