Analisti gjerman dhe anëtar i Këshillit për Politikë Demokratike, Bodo Weber, ka thënë se fakti që nuk ka pasur një deklaratë të përbashkët pas takimit të fundit mes presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Berlin, tregon se takimi ishte i pafrytshëm, transmeton Tanjug.
Weber beson se bisedimet e 13 majit më në fund duhet të mbahen për të parë nëse bisedimet në Berlin kanë sjellë ndonjë përparim, sado i vogël, që do të ndihmonte në zhbllokimin e dialogut.
Sipas Weber, ftesa e kancelarit gjerman Olaf Scholz për një takim në Berlin dhe turneu disaditor i ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock në Ballkanin Perëndimor tregojnë interes të ripërtërirë për ringjalljen e politikës së zgjerimit ndaj rajonit.
Ai shton se pa përfshirje serioze të Gjermanisë në procesin e negociatave, nuk do të ketë progres real në negociata, dhe që kjo të ndodhë, sipas tij, duhet të plotësohen disa parakushte – zhbllokimi i politikës së zgjerimit nga Franca dhe politika serioze ndaj Serbisë.
Weber vlerëson se vendimi për emërimin e Miroslav Lajçak si ndërmjetës tregoi mungesën e seriozitetit të BE-së dhe një pjese të Perëndimit, por shton se edhe largimi i tij nuk do të çonte në një rezultat konkret.
Ai shton se Berlini dhe Uashingtoni duhet të përfshihen në këtë proces në nivelin më të lartë.