Kreu i mazhorancës, Edi Rama, u bën thirrje shqiptarëve që të anëtarësohen në familjen socialiste.

Rama nëpërmjet një postimi në “Facebook” shprehet se kushdo që zgjedh Partinë Socialiste, do të përfshihet edhe në ripërtëritjen e familjes më të madhe politike. Rama ndau dje edhe kartën e re të anëtarësimit në PS dhe “Shqipëria 2030”.

“Me kartën e re të anëtarësimit në Partinë Socialiste, si edhe me ftesën që kush zgjedh PS të përfshihet edhe në ripërtëritjen e familjes më të madhe politike të shqiptarëve, duke u bërë pjesë e saj për ta bërë këtë vend krenarinë tonë më të madhe”, shkruan Rama në “Facebook”.

Sipas Ramës, qëllimi i anëtarësimit në PSsë është ripërtëritja e familjes së madhe politike të të gjithë shqiptarëve, duke u bërë pjesë e saj për ta bërë këtë vend krenarinë tonë më të madhe. Gjatë një takimi të dielën me strukturat e PS në Balldren të Lezhës, Rama deklaroi se Partia Socialiste duhet të provojë që është e hapur për të gjithë.

“Partia Socialiste ka një përgjegjësi të madhe historike mendoj unë, sot që flasim, sepse gjithë këtë progres që është bërë, i cili është një progres që duhet të vazhdojë, duhet ta garantojë dhe ta bëjë të pakthyeshëm në drejtësi, në ekonomi, në pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë”, është shprehur Rama.

Kreu i socialistëve para pak ditësh zbriti vetë në terren dhe nisi turin e takimeve me organizatat e PS në të gjithë Shqipërinë për t’u përgatitur për zgjedhjet e 2025. Në fokus të këtyre takimeve është procesi i rienergjizimit të PS-së, porosi të cilën Rama e la me prioritet për drejtuesit e qarqeve në mbledhjen e Asamblesë së 21 shkurtit, duke kërkuar anëtarësime të reja.

PROCESI

Duke u ndalur te procesi i rienergjizimit të PS-së, Edi Rama nënvizoi tri ditë më parë se vetëpërmirësimi i forcës që ai drejton mbetet një detyrim në kushtet kur nuk ka konkurrencë politike nga ana e opozitës.

Rama shpërndau në mënyre simbolike dhe disa karta anëtarësimi dhe kërkoi nga forumet e kësaj dege që të provojnë çdo ditë që Partia Socialiste është e hapur për të gjithë. Në fjalën e tij përpara të pranishmëve të PS-së, kryesocialisti e vuri theksin te hapja e partisë.

“Partia Socialiste duhet të provojë që është e hapur për të gjithë. Përgjegjësia e PS – nënvizoi Rama – është që ta bëjë të pakthyeshëm progresin e bërë në drejtësi, në rang ndërkombëtar apo në ekonomi. PS ka një përgjegjësi të madhe historike mendoj unë, sot që flasim, sepse gjithë këtë progres që është bërë, i cili është një progres që duhet të vazhdojë, duhet ta garantojë dhe ta bëjë të pakthyeshëm në drejtësi, në ekonomi, në pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë. Për çfarë e bëjmë ne këtë proces?”, – deklaroi Rama.

Ai përmendi se duhet bërë vetëkritikë dhe vetëpërmirësim në kushtet kur “sipas tij nuk janë të sfiduar nga një kundërshtar”.

“Ne e bëjmë këtë proces, sepse për mua, duhet ta bëjmë me shumë vetëdije vetëkritikën dhe vetëpërmirësimin tonë në kushtet kur nuk jemi të sfiduar nga një kundërshtar përballë”, – tha Rama.

ANALIZA

Kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë në fundjavë për një analizë të thelluar kabinetin qeveritar, por edhe drejtuesit politikë dhe krerët socialistë të bashkive. Parashikohet që kjo analizë, e cila me gjasë do të jetë periodike deri në zgjedhje, do të hërbejë për të verifikuar të gjitha problematikat dhe shqetësimet e qytetarëve, por edhe një raportim të plotë e të detajuar të punës organizative në Partinë Socialiste.

Kabineti qeveritar, zëvendësministra, drejtues institucionesh, por edhe të deleguarit e qarqeve do të mblidhen në Shkodër, ndërsa pritet që ata të diskutojnë me kryeministrin Rama përmbushjen e detyrave të caktuara nga analiza e shkuar, që u mbajt në Shëngjin në janar.

Në këtë analizë, që ndahet në disa panele, diskutohet edhe për angazhimin direkt në terren të strukturave socialiste për rigjallërimin e bazës së partisë deri në zgjedhjet e përgjithshme dhe kongresit të jashtëzakonshëm zgjedhor. Prej disa javësh socialistët kanë zbritur në bazë, në takime me strukturat dhe kanë nisur procesin e zgjerimit në parti dhe fushatën reale të anëtarësimeve të reja.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re