Nga Eduard Halimi

Në një vendim të pazakontë në datë 23 janar 2024 Gjykata e Apelit Administrativ ka urdhëruar Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) komisionerët e vetingut, që të tregojnë publikisht kush janë sponsorët e një aktiviteti të denoncuar më parë nga rrjeti i gazetarëve investigativë BIRN. E lexova me vëmendje vendimin prej 46 faqesh ndaj duke menduar se përben një interes të ndjeshëm vendosa të ndaj me publikun disa konstatime të tij.

17 qershori i vitit 2017 (pak ditë para zgjedhjeve parlamentare) ishte një  ditë e lumtur për 27 juristët e emëruar kryegjyqtarë të vetingut pa ndonjë meritë domethënëse profesionale por rezultat i një kompromisi politik të diskutueshëm (për të cilin do flasim në shkrime të tjera)

Të rrethuar papritmas me makina të zeza që i shoqërojnë kudo, bodyguarde, dhe pritshmëri pa fund, fjalime domethënëse mbi “aftësitë” e tyre, ata vetë u binden se ishin vërtet juristët më të mirë të Shqipërisë pavarësisht se nga vinin, dhe çfarë përmbanin dosjet e ty. Llogaridhënia e tyre ndaj ligjit as që mund te diskutohej, ata llogari mund ti jepnin vetëm zotit derisa disa prej tyre u dënuan për krime. Aq e pazakonte ishte kjo sjellje saqë pak muaj më parë ata urdhëruan KLGJ me shkrim që të mos plotësojë vendet vakante në gjykatën e apelit  administrativ duke mbajtur peng mijëra dosje dhe mijëra vendime se ato vende i duheshin atyre sapo ti mbaronte mandati. Por kjo situate kontroverse me dëme të jashtëzakonshme për publikun kërkon një tjetër analizë, por sot vendosa të fokusohem tek ky vendim i rëndësishëm ndaj KPK.

Historia e KPK-së dhe Sponsorit

Një event i organizuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) më 30 shtator 2021,  në Vlorë të titulluar “Raporti dhe Strategjia” përfshinte 12 komisionerë dhe 3 anëtarë të stafit administrativ. Kostoja totale e eventit u mbulua nga mbështetja financiare e një kompanie private. Sipas KPK-së, Organizimi nga KPK dhe financimi nga sponsori përfshinte klauzola kontraktuale që kufizonin aksesin  e informacionit për palët e treta.

Pas një kërkese për informacion nga BIRN Albania, KPK nuk pranoi të zbulonte disa detaje të marrëveshjes, duke përmendur klauzolën e konfidencialitetit dhe kufizimet ligjore. Pas ankimit nga BIRN pranë, Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ai urdhëroi KPK-në të jepte informacionin e kërkuar, por KPK-ja e kundërshtoi vendimin gjyqësish.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë në vlerësimin e çështjes theksoi proporcionalitetin e kufizimit të shpërndarjes së informacionit për të mbrojtur interesat e KPK-së. Ajo shqyrtoi sanksionet e mundshme financiare kundër KPK-së në rast të shkeljes dhe arriti në përfundimin se vendimi i Komisionerit ishte i paligjshëm. Gjykata mbështeti klauzolën e konfidencialitetit dhe mbështeti qëndrimin e KPK-së për ruajtjen e informacionit konfidencial.

Në lidhje me këtë vendim, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe BIRN kanë ushtruar të drejtën e ankimit për prishjen e vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Gjykata e Apelit Administrativ prish vendimin e shkallës së parë dhe urdhëron KPK të tregojë sponsorët.

Vendimi Përfundimtar i Gjykatës së Apelit Administrativ

Gjykata e Apelit Administrativ çmoi të nevojshme të evidentojë faktin se, klauzola konfidenciale kontraktore, nuk duket se përbën kufizim  të parashikuar në marrëveshje, por është interpretuar më pas si i tillë, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.(fq.38)

Gjykata e Apelit Administrativ thotë se liria kontraktore midis KPK dhe sponsorëve të tyre vlerësohet si pengesë e pajustifikuar për të refuzuar informimin e qytetarëve, referuar shkaqeve të kufizimit të të drejtës së informimit, parashikuar në Nenin 17 të Ligjit Nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”.(fq.39)

Bazuar në përfundimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, tek të cilat kanë referuar nismat e mëhershme për ndryshime në ligj, me qëllim emërtimin gjyqtarë të komisionerëve, pas përfundimit të mandatit, gjykata e shkallës së parë kishte gabuar duke mbrojtur KPK dhe se vlerësohet se kishte detyrimin të argumentonte se:

në ç‘mënyrë, të dhënit e informacionit të plotë mbi subjektin që ka sponsorizuar akomodimin e komisionerëve në një hotel, do të cënonte interesin publik, në një kohë kur ky interes nuk konstatohet të ketë pësuar deri tani asnjë cënim, nga publikimi sistematik e disavjeçar i të dhënave të gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, pa përjashtuar akomodimet e tyre në hotele, madje është konsideruar se ka shërbyer si instrument për t’i kthyer publikut, besimin tek drejtësia;

mbi ç’bazë standardi i transparencës, zbatuar tashmë gjatë procesit të vetting-ut të gjyqtarëve në detyrë, nuk duhet zbatuar edhe për komisionerët quasi gjyqtarë.(fq. 42)

Gjykata e Apelit Administrativ i kujton juristëve “të shkëlqyer” duke i tërhequr vëmendjen e Komisionerëve mbi faktin se, aq sekrete është veprimtaria sponsorizuese që realizon një person juridik tregtar, sa që ky i fundit detyrohet ta deklarojë këtë veprimtari në organet tatimore, si shpenzim të zbritshëm, në zbatim të Nenit 5 të Ligjit Nr.7892 Dt.21.12.1994 “Për sponsorizimet”,(fq.43)

Gjithashtu, trupa gjykuese e Apelit Administrative konkludon se: “emri i personit juridik sponsorizues nuk mund të konsiderohet informacion apo dokument i brendshëm, përhapja e të cilit do të dëmtonte interesat e tij tregtare, përsa kohë që, në kuptim të Nenit 32 të Ligjit Nr.9723 Dt.03.05.2007 “Për regjistrimin e biznesit”, i ndryshuar, përcaktimi i tij përbën të dhënë që kushtëzon regjistrimin fillestar në regjistrin tregtar dhe që, në kuptim të Nenit 21/5, vlerësohet e dhënë gjithnjë e njohur.(fq.44)

Sipas Gjykatës së Apelit Administrativ, në këtë gjykim KPK,  ka dështuar të provojë:

Për ç’arsye do t’ia dëmtonte rëndë interesat tregtare personit juridik palë kontraktore, publikimi i faktit të të qenit të tij sponsorizues i aktivitetit të KPK-së?

Për ç’arsye, sponsorizuesi i veprimtarisë së një institucioni që vlerësohet se i ka kthyer publikut besim tek drejtësia, në vend të nxjerrjes së përfitimeve, do të pësonte dëm të rëndë nga publikimi i këtij fakti? (fq.44)

Gjykata e Apelit Administrativ vlerëson se, përtej qasjes humane të reflektuar nga gjykata e shkallës së parë nëpërmjet pranimit të këtij argumenti, nuk ekzistojnë arsye ligjore për të konkluduar mbi detyrimin që kanë gjykatat për të disponuar vendime që favorizojnë mospaditjen civilisht të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si interes më i lartë që prevalon ndaj atij të garantimit të të drejtës së informimit, përsa kohë bie ndesh me Nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që parashikon se:

“1. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”.(fq.44)

Gjykata e Apelit Administrativ vlerësoi si themeltar parimin kushtetues  se: “ …e drejta për t’u informuar është një prej të drejtave themelore të njeriut, e parashikuar në nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.  Kjo e drejtë duhet parë e lidhur ngushtë me parimin e transparencës dhe llogaridhënies, si një shtyllë tjetër themelore e shtetit të së drejtës. Funksionimi i tyre do të ishte në interesin e të dy palëve”.(fq.45)

III. Çështjet Kryesore të Vendimit të Gjykatës.

Vendimi i Gjykatës së Apelit Administrativ i datës 23 janar 2024 bazohet  në disa argumente dhe konsiderata kruciale për shtetin e së drejtës, që është llogaridhënia:

Interpretimi i Klauzolës së Konfidencialitetit: Gjykata vuri në dukje se klauzola e konfidencialitetit kontraktual, e cila fillimisht mund të mos ishte parë si kufizim, më vonë u interpretua si e tillë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK). Ky interpretim u konsiderua nga gjykata si një kufizim i vendosur në të drejtën e informimit.

Liria Kontraktore kundra së Drejtës për Informim: Gjykata theksoi se liria kontraktuale ndërmjet KPK-së dhe sponsorëve të saj nuk duhet të konsiderohet si një pengesë e pajustifikuar për ofrimin e informacionit për publikun. Ajo argumentoi se e drejta për informim, siç parashikohet në nenin 17 të ligjit nr. 119/2014, nuk duhet të pengohet nga marrëveshjet kontraktuale.

Qëndrimi prej dystandardesh i Komisionerëve: Duke ju referuar përfundimeve të GjEDNj-së, tek të cilat është referuar nisma e mëparshme e Komisionerëve, me qëllim emërtimin e tyre si gjyqtar pas përfundimit të mandatit, Gjykata e Apelit Administrative jep argumentin kyç, në lidhje me qëndrimin prej dystandardesh që Komisionerët kanë mbajtur gjatë të gjithë gjykimit, se nëse Komisinerët kanë status quasi gjyqtarë, dhe pas përfundimit të mandatit ata pretendojnë të emërohen si gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë, përse dhënia e informacionit të plotë mbi subjektet që i kanë sponsorizuar cenon interesin publik kur ky interes nuk konstatohet të ketë pësuar deri tani asnjë cenim, nga publikimi sistematik e disavjeçar i të dhënave të gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë.

Fshehtësia e veprimtarisë së sponsorizimit: Gjykata theksoi se identiteti dhe aktivitetet tregtare të një personi juridik që vepron si sponsor nuk duhet të konsiderohet informacion i brendshëm dhe se zbulimi i tij nuk do të dëmtonte interesat e tij tregtare, përsa kohë që këto informacione janë tashmë publikisht të njohura në bazë të deklarimeve që subjektet bëjnë në organet kompetente publike, si organet tatimore dhe QKB-ja.

Dështimi për të vërtetuar dëmtimin e interesave tregtare: Gjykata arriti në përfundimin se KPK-ja nuk arriti të provojë se si zbulimi i identitetit të subjektit sponsorizues do të dëmtonte rëndë interesat e tij tregtar. Ajo vuri në pikëpyetje pse zbulimi i përfshirjes së sponsorit me KPK-në, një institucion që besohet të jetë transparent dhe se ka rikthyer besimin e publikut te drejtësia, do t’i shkaktonte atij dëme të konsiderueshme.

Shkelje kushtetuese: Gjykata theksoi se vendimmarrja e gjykatës së shkallës së parë mbi favorizimin e mospaditjes civile të KPK-së si interes më i lartë që prevalon ndaj atij të garantimit të të drejtës së informimit, bie ndesh me nenin 18 të Kushtetuës që përcaton se: “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”.

Gjykata, duke u bazuar në nenin 23 të Kushtetutës, theksoi se kjo e drejtë duhet të jetë e lidhur ngushtë me transparencën dhe llogaridhënien, duke shërbyer si një tjetër shtyllë themelore e shtetit të së drejtës.

Në përmbledhje, gjykata konstatoi se dështimi i KPK-së për të zbuluar informacione për sponsorët e saj binte ndesh me parimet e transparencës, barazisë para ligjit dhe të drejtës themelore për informacion, parime këto të garantuar nga Kushtetuta. Gjykata theksoi nevojën për një balancë mes interesave të të dyja palëve, duke favorizuar të drejtën e informimit dhe transparencën me publikun në këtë rast.

KONKLUZIONET DHE “7 ARSYET PSE FSHEHJA E SPONSORIT ËSHTË NË KUNDËRSHTIM ME OBJEKTIN DHE QËLLIMIN E KPK-SË”

Interpretimi i klauzolës së konfidencialitetit nga ana e KPK-së konsiderohet kufizim i të drejtës për informim.(fq. 38 e vendimit)

E drejta për informim duhet të prevalojë ndaj të drejtës së lirisë kontraktore midis KPK-së dhe sponsorit të saj.(fq.39 e vendimit)

Dhënia e informacionit të plotë nga Komisionerët mbi sponsorin e tyre nuk konsiderohet cenim i interesit publik, kur publikimi i të njëjtit informacion është kryer në mënyrë sistematike nga gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë.(fq.42 e vendimit)

Identiteti dhe aktiviteti tregtar i një personi juridik që vepron si sponsor nuk duhet të konsiderohet informacion i brendshëm dhe zbulimi i tij nuk dëmton interesat e tij tregtare.(fq.43 e vendimit)

Sponsorizimi i një institucion që besohet të jetë transparent dhe se ka rikthyer besimin e publikut te drejtësia nuk mund t’i shkaktojë subjektit dëm. (fq.44 e vendimit)

Favorizimi i mospaditjes civile të KPK-së si interes më i lartë që prevalon ndaj atij të garantimit të të drejtës së informimit, bie ndesh me nenin 18 të Kushtetuës që përcakton se: “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”.(fq.44 e vendimit)

Fshehja e sponsorit cenon të drejtën për informim si një e drejtë themelore e njeriut, e parashikuar në nenin 23 të Kushtetutës.(fq.45)

Vendimi i plotë i Gjykatës së Apelit Administrativ gjendet në:

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re