Nga Ylli Pata

Partia Demokratike dhe segmente opozitare në opinion, edhe pse në fillim thanë fiton bindshëm opozita, tashmë kanë dalë me tezën e “blerjes së votës” dhe të ashtuquajturit “proces kirurgjikal pa bisturi”.

Sipas kësaj teze, PS ka paguar me cash dhe influencë; pra legalizime, punësime etj, popullsinë e varfër.

Mirëpo thjesht po të shohësh shifrat zyrtare të 25 prillit, vëren se në zonat e varfra apo ato zona që janë në varësi të vendimeve për influencë të shtetit, PD ka fituar ndjeshëm.

Shembulli më kuptimplotë është Tirana; edhe nëse e marrim si qark, por edhe nëse e marrim kryeqytetin si Bashki.

Partia Socialiste ka fituar në Tiranë me 44,507 vota diferencë me PD-në, që i bie fiks 4 deputetë më shumë, por që realisht PS ka fituar 3 deputetë më tepër.

Deputeti  19-të është viktimë e votave të pavlefshme.

Por a janë blerë votat në Tiranë? Grida Duma bërtiste mbrëmë se në Kavajë e Rrogozhinë ka ndodhur hataja e “blerjes” dhe e “bandave”.

Në Bashkinë Kavajë, diferenca e PS-së me PD-në është 223 vota, thuajse e njëjtë me të gjitha zgjedhjet e zhvilluara.

Në këtë Bashki palët kryesore janë “rrotë më rrotë” dhe pse në 2017, PD fitoi bashkinë Kavajë në zgjedhjet e pjesshme.

Në Rrogozhinë, PS kryeson me 1388 vota, që jep sërish një panoramë të njohur me të gjitha precedentët e votimeve.

Kamza, si një zonë ku ka popullsi fraxhile apo të ekspozuar ndaj votës klienteliste, apo të lidhur me grupe interesi, PD ka fituar me 6420 vota diferencë ndaj PS-së.

Dhe kjo diferencë është identike e palëvizshme që nga zgjedhjet e vitit 2009.

Në Vorë, një bastion i vjetër i PD-së, PS ka arritur të fitojë me 2753 vota diferencë.

Nëse shikojmë historikun e këtyre votave, duket qartë se pikërisht në këtë Bashki ka një rritje të PS-së si pasojë e uljes së votave të LSI-së që ka marrë në 2017-n, por edhe mos përfaqësimin e PD-së në këtë zonë.

Por le të hyjmë në qytet, pasi ish-komunat e Tiranës s’po i marrim, edhe pse në të gjitha ka fituar Partia Socialiste.

Qyteti i Tiranës është edhe zona më e paprekur nga votat tribale apo blerja, pasi kemi të bëjmë me një territor urban, ku edhe mirëqenia është më e lartë, por edhe më treguesja e zgjedhjeve.

Në 30 vjet, vota e Tiranës ka përcaktuar realisht fituesin politik të zgjedhjeve në Shqipëri.

E pikërisht kryeqyteti ka qenë edhe zona ku ndërkombëtarët janë ndikuar më shumë për të vlerësuar procesin zgjedhor.

Në vitin 1997, ku në gjithë zonat, shteti ishte i munguar, në Tiranë situata ishte më e stabilizuar; e pikërisht në kryeqytet PS fitoi 25 deputetë, nga zero PD-ja.

Tirana shërbeu si bazë për të njohur zgjedhjet.

Kthehemi më 25 prill 2021: Partia Demokratike ka pësuar një disfatë të rëndë në territorin e Bashkisë së Tiranës.

46,563 është diferenca e PS-së ndaj Partisë Demokratike.

Pra 4 deputetë e gjysmë, me një rezultat fitues në të gjitha njësitë administrative të bashkisë, përjashto njësinë 8, vendlindjen e Lulzim Bashës, ku PD ka fituar 400 vota më shumë, e që njihet përgjithësisht si bastion i djathtë.

PS fitoi madje edhe në njësinë 11, dikur hambar i votave të Partisë Demokratike.

Pse ka ndodhur kjo? Ka shumë e shumë faktorë, por merita, shiriti i triumfit i takon natyrisht udhëheqësit të PS-së për qarkun Tiranë, Erion Veliaj, i cili jo vetëm konfirmoi rezultatin që e votoi dy herë si kryebashkiak, por e thelloi këtë rezultat.

Veliaj është realisht njeriu i dytë pas Edi Ramës që arriti të mobilizojë elektoratin e majtë dhe bindë atë gri dhe të pavendosur për të votuar PS-në.

Erion Veliaj është ai që dërrmoi LSI-në në qark, duke e lënë me vetëm 2 deputetë dhe duke e shkrirë realisht në territorin e Bashkisë Tiranë.

Ndërkohë PD-ja sot e kësaj dite nuk ka një udhëheqës politik të qarkut Tiranë, nuk ka një kryetar të degës së Tiranës, nuk ka struktura reale e të forta.

I vetmi politikan territori i Partisë Demokratike, rezultoi Belind Këlliçi, i cili edhe pse mori një zonë të vështirë si Kombinati në patronazh, arriti të mobilizojë të djathtët e të sigurojë një rezultat personal mbresëlënës.

E Këlliçi, që sot ka arrritur dy objektiva: një mundësi e fortë e kandidimit të tij për Bashkinë e Tiranës, por edhe një shans real për të zëvendësuar Lulzim Bashën.

Tirana është pasqyrë zgjedhjesh dhe jo territori i të “fortëve”, që gjithsesi meritojnë një analizë reale.

Rezultati suprizë i Ornaldo Rakipit si qark? Djali i Aqif Rakipit dihet se ka marrë vota kryesisht në komunitetin çam të Rrogozhinës, por edhe të Tiranës.

I vetëm ai ka mundur dy përfaqësuesit e PDIU-së: Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda, të cilët nuk kanë kaluar limitin e 8 mijë votave në qark.

Por këto janë detaje; realiteti është më i qartë; Tirana ka një rezultat të qartë, pa ekuivok, politikisht pro Partisë Socialiste dhe një fitues që në këtë rast është triumfues: Erion Veliaj.

I cili nga kryeadministrator u kthye edhe në një politikan të nivelit të lartë.

Ka mundur thellë rivalët e tij, që në projektin e gatimit të skuadrës së PS-së në qarkun Tiranë, të cilën e konfiguroi ai, që në betejën e lartë të tabelës e më poshtë.

A pati Veliaj ndonjë problem që rezultoi gol? Natyrisht që po, është humbja e mandatit të 19-të, që është me shifra i fituar, por që duket se ka firuar thjesht nga votat e pavlefshme e jo nga shifrat.

Si rezyme: PS në Tiranë, pra drejtuesi politik u soll si fitues, luftoi fort votë për votë dhe arriti triumfin.

Pala tjetër nuk kishte në asnjë rast mentalitetin për të fituar dhe anashkaloi që në fillim duelin politik që Erion Veliaj e kërkoi, duke hedhur dorashkat ditë për ditë.

Si me Lulzim Bashën si ish-kryebashkiak, ashtu edhe me Sali Berishën që ishte i 5-ti i listës.

PD në mediat e qarqet e saj nuk lë sulm edhe të ulët ndaj Veliajt pa bërë, por Erioni i mundi, siç ka bërë në dy fushata zgjedhore, njërën me aleat LSI e tjetrën me një situatë absurde bojkoti.

A do ta fitojë Erion Veliaj mandatin e tretë në Tiranë qoftë pas dy vjetësh siç është me ligj apo edhe nëse Edi Rama i jep Bashës “bonusin” e zgjedhjeve lokale të parakohshme?

Padyshim që po! Në fakt Veliaj është konfiguruar fort si një lider politik, në një atmosferë të qetë e normale siç ofron kryeqyteti.

Tirana është një test i pastër, jo vetëm për rezultatin, por edhe për sjelljen politike dhe një laborator për prodhimin e liderëve.

Lulzim Bashës ju dha rasti; edhe kur fitoi bashkinë me problem por se mbajti, por edhe si udhëheqës politik në vitin 2013 për qarkun. E humbi thellë…

TemA