Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka arritur të marrë për këshillat bashkiakë vetëm gjysmat e votave që kanë marrë kandidatët për kryebashkiakë.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezulton se në zgjedhjet lokale të 14 majit kandidatët për kryebashkiakë të Partisë Socialiste kanë marrë 787.545 vota, ndërsa ata të koalicionit “Bashkë Fitojmë” kanë marrë 502 mijë vota.

Nga ana tjetër, koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka marrë 251 mijë vota për këshilltarët bashkiakë, pra 50 % më pak se sa kanë marrë kandidatët në garat për kryebashkiakë.

Por një rënie të numrit të votave ka pësuar edhe sigla e Partisë Socialiste, e cila ka marrë edhe ajo 200 mijë vota më pak ose 26% më pak se kandidatët.

Balkanweb ka llogaritur gjithashtu edhe ndarjen e përafërt të këshilltarëve mes Partisë së Lirisë dhe Komisionit të Rithemelimit të Berishës nisur nga votat që ka mbledhur sigla “BF” në zgjedhjet për këshillat bashkiakë.

Në përllogaritje janë marrë këshillat bashkiakë të Tiranës (PL 8- PD 7), Durrësit (PD 7- PL 6), Elbasanit (PD 5- PL 7), Shkodrës (PD 9- PL 4); Korçës (PD 4- PL 5), Fierit (PD 2- PL 5) dhe Vlorës (PD 4- PL 5).

Sipas këtyre shifrave, që me shumë gjasa në këto raporte është ndarja edhe në bashkitë e tjera të vendit rezulton se Komisioni i Rithemelimit ka rreth 55% të këshilltarëve të 61 këshillave bashkiakë, ndërsa Partia e Lirisë është në nivelin e 45% të numrit të këshilltarëve.

E përkthyer në mandate, nga 297 këshilltarë që ka BF në të gjithë vendin rreth 163 janë të Komisionit të Rithemelimit dhe 134 të Partisë së Lirisë.

Ndërkohë sigla zyrtare e Partisë Demokratike megjithëse ka marrë gjysmën e votave të siglës “BF” në garën për këshilltarë, e përkthyer në numër këshilltarësh në të gjithë vendin ka 126, ose rreth 40 më pak se pjesa e Komisionit të Rithemelimit brenda siglës “BF”.

Capture-142

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re