Spanja siguroi një vend në finalen e Kampionatit Europian, pasi mundi të martën në mbrëmje Fracën 2-1.“Gjelat” ishin një tjetër test i madh për Spanjën e Luis de la Fuentes që është kaluar me sukses. Perlat e Lamine Jamal dhe Dani Olmos përmbysën golin e shpejtë të Kolo Muani, me Spanjën që më pas administroi më së miri epërsinë e krijuar, duke siguruar për herë të pestë në historinë e saj një vend në finalen e një Europiani. Me t’u gjendur në disavantazh, Franca u gjend përpara nevojës për të avancuar linjat e saj, kundër një skuadre spanjolle që kontrolloi pjesën e dytë me një mbrojtje solide dhe përpjekje për zotërime të gjata, gjithmonë me Rodri në komandë, për të ndalur vrullin francez. Mbape, i cili ndryshoi pozicionin e tij gjatë ndeshjes, duke luajtur herë si numër 9 dhe herë si anësor i majtë, u bllokua edhe nga një skuadër spanjolle që luajti në bllok dhe me të drejtë siguroi një vend në finalen e Berlinit.
ANALIZA E TRAJNERËVE – “Ne ishim perfekt. Në pjesën e parë pati më shumë situata kundërsulmesh. Në pjesën e dytë ishte një ndeshje më taktike. Ishte ajo që na duhej për të luajtur në këtë gjysmëfinale” tha trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente. “Ne u përpoqëm të ishim sa më efektivë. Pavarësisht gjithçkaje, hapëm rezultatin, më pas gjithçka ndryshoi. Spanja dominoi. Por ne nuk ishim aq të mirë. Na mungonte vertikaliteti”, analizoi Didie Deshamp nga krahu tjetër.
NDËRTIMI I SULMIT – Spanja u ngrit me topin në zotërim me 4-2-3-1, duke ndërtuar sulmin e saj përmes kombinimeve në gjysmëfushën e saj. Shkëmbimet e pozicioneve në sektorin e djathtë lehtësuan epërsinë numerike dhe pozicionale në anën tjetër, në korsinë e majtë, gjithmonë me Ajmerik Laporte dhe Kukurejën në epërsi ndaj Osman Dembele. Në këtë mënyrë, Spanja mundi të gjente të lirë Kukurejën, i cili mundi të përparonte lirshëm në fushën franceze. Në krahun e djathtë, Jamal e identifikoi veten si njeriu i tretë, pasi pothuajse gjithmonë merrte mbështetje nga Naço. Për të arritur këtë lidhje, ura ishte gjithnjë ai, Rodri, që tërhiqte me vete N’Golo Kante, ndërsa të njëjtën gjë bënte Fabian Ruiz me Tçuameni. Franca zbriti në fushë me një 4-3-3 në fazën sulmuese, duke kaluar topin gjithnjë në atë që shihej si krahu i dobët i mbrojtjes spanjolle (e djathta). Në daljet e Francës, Dembele kërkonte të krijonte korridore me ndihmën e Upamekanos dhe Zhyl Kunde. Kjo lëvizje e Dembelesë i dha njëfarë epërsie 3-2 në mesfushë skuadrës së Deshampit, ku Dembele, Tçuameni e Rabio ishin në epërsi numerike ndaj Rodrit dhe Jamalit. Në ndryshim nga ndeshjet e tjera, kundër Francës, Lamine Jamal ka bërë një punë më të madhe në fazën mbrojtëse se në çdo takim tjetër. Ai duhet të mbyllte çdo hapësirë që krijohej nga brenda. Në momentin kur topi në zotërimin e Francës ishte në mesfushë, Tçuameni kërkonte vazhdimisht thellësi, duke tentuar më shumë nga Dembele, ose duke bërë një ndërrim të lojës nga krahu tjetër duke furnizuar Teo Hernandezin e Kilië Mbapenë.
PËRFITIMI NGA HAPËSIRAT – Markimi një për një i Kantesë drejt Rodrit, në fakt i solli më shumë dëme se përfitime Francës. Duke qëndruar si “pullë poste” pas lojtarit të Sitit, Kante krijoi hapësira në mesfushën e Francës, duke lënë zbuluar dyshen Rabio-Tçuameni. Skuadra spanjolle i shfrytëzoi mjaft mirë këto hapësira me kombinime të shpejta në zona të ngushta. Faktor kyç në këtë epërsi të Spanjës ishte Morata, që tërhiqej thellë në mesfushë duke tërhequr dhe dyshen Saliba-Upamekano. Në rastin e golit të 2-1 të Spanjës, Lamine Jamal kreu një diagonale brenda, duke detyruar Rabio të dilte nga pozicioni me lëvizjen e tij, dhe Tçuamenin gjithashtu në ndihmë të lojtarit të Juventusit. Kjo krijoi një hapësirë të brendshme, me Olmon që përfitoi duke konkretizuar me gol një lëvizje të bukur. Te Franca, anësorët zgjodhën kryesisht të arrinin në zonën e finishit përmes korsive të jashtme, duke u përpjekur të gjeneronin situata 1 kundër 1 me kundërshtarin e tyre të drejtpërdrejtë. Megjithatë, si Dembele ashtu edhe Mbape nuk mundën ta realizojnë qëllimin e tyre, për shkak të tërheqjes së mirë të skuadrës spanjolle. Duke pasur parasysh pamundësinë e anësorëve francezë për të kapërcyer mbrojtësit spanjollë, përkatësisht Kukureja dhe Navas, Dembele dhe Mbape zgjodhën qendrat anësore në pjesën e parë, të vetëdijshëm për vështirësitë e mbrojtjes spanjolle në këtë lloj situate. Ky ishte momenti më i mirë për Francën kur shënoi me Kolo Muani.
LINJA E MESFUSHËS – Deshamp organizoi Francën në një fazë mbrojtëse 4-5-1. Një vendosje e tillë e bëri më të lehtë për Francën që të kishte hapësirë sulmuese për të vrapuar në rast se topi vidhej. Megjithatë, tërheqja në mbrojtje e propozuar nga trajneri francez tregoi disbalanca, të cilat ishin kyçe për të mos kontrolluar sulmet e Spanjës. Në përgjithësi, distancat midis pesë mesfushorëve të Francës ishin të gjera, ndërsa linja e mesfushës u destabilizua nga mospërputhja e krijuar nga Kante që ishte gjithnjë në ndjekje të Rodrit. Kjo hapësirë e krijuar nuk u kompensua nga Dembele apo Mbape, të dy me dyshimin nëse do të ktheheshin pas për të mbuluar hapësirat, apo do të shihnin përpara për të ndaluar avancimin e mbrojtësve të krahut të Spanjës. Kjo mungesë përkufizimi për anësorët francezë ishte kyç për interesat e skuadrës së Luis de la Fuentes.
FRANCA, PA ZGJIDHJE NË SULM – Në pjesën e dytë, Deshamp hodhi në lojë Barkola, Grizman dhe Kamavingën, duke riorganizuar Francën në sulm në një 4-4-2. Grizman dhe Mbape luajtën përpara. Spanja, nga ana e saj, riorganizoi mbrojtjen e saj me largimin e Navas i dëmtuar. Naço kaloi në krahun e djathtë dhe Vivian hyri si qendërmbrojtës, duke ndihmuar Naçon të frenonte Barkolanë. Gjithsesi, Barkola i krijoi mundësi sulmit. Por dy sulmuesit e deklaruar të Francës në pjesën e dytë nuk u organizuan në mënyrën e duhur. Kështu, kur mbërrinin në zonë ata humbën çdo mundësi konkludimi. Në këtë mënyrë, sulmi francez u hollua në pjesën e dytë, edhe me hyrjen e Zhiru në minutat e fundit për një lojë më të drejtpërdrejtë, dhe pa opsione të qarta shënimi ndaj një Spanje që firmosi pasimin në finale.LEDJO SEFERKOLLI-