Taulant Balla ministër i Brendshëm prezent sot në Vlorë, sëbahsku me drejtuesin e përgjithshëm të policisë së shtetit Rrumbullaku, në analizën vjetore të policisë së Vlorës për vitin 2023. Balla në komunikimin për media thotë se viti që lamë pas ishte mjaft i mirë në shifra për policinë e Vlorës, teksa i ka kërkuar kësaj të fundit që për 2024 të konkretizojë rezultatet e hetimeve dhe aksioneve që ka nisur

“Është shumë e rëndësishme që ne të garantojmë siguri publike në çdo cep të territorit. Dhe e vërteta është që këto struktura të policisë që ju përmendni, nuk janë vetëm gjatë kësaj kohe në Vlorë. Kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme, sepse ne jemi në një proces goditjeje frontale, në një revansh të shtetit dhe ligjit kundër krimit të organizuar. Besoj që të gjithë biem dakord që ka një sërë aktivitetesh kriminale të cilat duhen parandaluar, sikurse është dhe organizimi i lojërave të fatit në mënyrë të pa ligjshme, sikurse është shpërndarja e lëndëve narkotike jo vetëm pranë shkollave i cili është një target kryesor i punës tonë, por në të gjithë komunitetet.

Duroni, dhe shikoni në ditët në vijim do të jem përsëri në Vlorë me rezultate konkrete”, tha Balla.

Balla foli edhe në lidhje me ngjarjen e rëndë të 7 janarit, vrasjen me snajper të Gëzim Sinomatit.Ministri i brendshëm thotë se në saj të hetimit, janë afër për zbardhjen e ngjarjes, evidentimit dhe arrestimit të autorëve.

“Sa i përket rendit dhe sigurisë, unë e them shpesh, e kam thënë edhe në këtë analizë që pavarësisht punës së mirë që mund të bëjmë gjatë gjithë vitit, mjafton një ngjarje e rëndë kriminale, e cila të rikthejë shqetësimin e qytetarëve të Vlorës nga makthet e së shkuarës. Kështu që në këtë aspekt dua t’ju informoj se kemi bërë një analizë të thellë, po ashtu t’ju garantoj ju, të garantoj qytetarët, por t’ia them edhe personave që përfshihen në ngjarje të tilla kriminale që ne jemi shumë pranë zbardhjes së këtyre ngjarjeve kriminale”, tha ai.

I pyetur në lidhje me efekshmërinë e kontrolleve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA-s, të cilat prej 11 ditësh vazhdojnë të qëndrojnë në Vlorë, teksa në po kaq ditë veç 3 të arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe kultivim lëndësh narkotike, Balla thotë se motivi i kontrolleve nuk është vetëm zbulimi i autorëve të ngjarjes por goditja në disa fronte e krimit

Në fjalën e tij Balla ka folur edhe në lidhje me pritshmëritë për 2024, si dhe fokusin e punës së policisë së shtetit, si dhe sfidat që i presin./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re