Skip to content

Andorra-Shqipëri, Duka: Më e rëndësishmja e edicionit, jemi vendi që ndiejmë më shumë Kombëtaren

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, foli për Klan News, në prag të ndeshjes me Andorrën, përballje e cila mund të sigurojë “play off”-in për herë të parë në një Botëror ndaj dhe kreu i FSHF e konsideron si ndeshjen më të rëndësishme të edicionit.

“Çdo ndeshje e ekipit Kombëtare është e rëndësishme. Të gjitha janë nga 3 pikë. Disa kanë emocione të tjera përveç futbollit. Kjo është më e rëndësishmja e edicionit, sepse na mban në lojë për “play off”-in. Një sy e kemi edhe në Londër për Angli-Serbi.

Ndeshjen e parë e kemi humbur në stadiumin e vjetër këtu në Andorrë. Ndeshjet zyrtare këtu i kemi fituar. Kanë qenë ndeshje të vështira. Nuk është ndeshje e lehtë. Andorra sot është më mirë se më parë. Ka një ekip që lufton. Anglia i ka shënuar me shumë vështirësi. Mbetet një ndeshje shumë e vështirë. Ekipi e di rëndësinë e ndeshjes. Nuk ka vend për vetëkënaqësi”, thotë Duka.

Sipas tij, Shqipëria është vendi që e ndjen më shumë ekipin Kombëtar, ndërsa theksoi se shpreson që “play off” të vendoset që në Andorrë.

“Ka shumë gjëra përse nuk jemi gjithmonë në të njëjtin nivel. Nëse do i bënim të gjitha ndeshjet me të njëjtin nivel, nuk do të ishim Shqipëria, por Anglia që ka siguruar vendin e parë. Motivimi nuk është i njëjtë. Për mua Letonia nuk është ekip i dobët. Na vuri shumë në vështirësi edhe në Tiranë. Nuk jemi këtu për këtë analizë. Jemi për të dhënë maksimumin dhe për të shpresuar te Botërori. Për kënaqësinë e lojtarëve, por edhe për tifozët që e ndjekin këtë Kombëtare.

Ne si tifozllik kemi fituar kulturën sportive dhe e dimë se nuk ka ndeshje të lehta. Për këtë janë në shkallët e stadiumit, për të mbështetur ekipin dhe për ta çuar ekipin drejt fitores. Jemi vendi që e ndjen më shumë ekipin Kombëtar. Duam ta sigurojmë “play off”-in që këtu, në mënyrë që ndeshjen me Anglinë ta kemi luksi”, u shpreh Duka.

Ndeshja Andorra-Shqipëri luhet nesër në ora 20:45.

LEXO EDHE: Ëndrra play-off kalon nga Andorra, Sylvinho: E vështirë por luajmë vetëm për 3 pikë