Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, deklaroi se mund të ketë vonesa për miratimin nga Budapesti për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.

 

Reuters raporton se kryeministri hungarez ka shprehur shqetësime dhe ka akuzuar të dy vendet për përhapjen e gënjeshtrave mbi demokracinë dhe sundimin e ligjit në Hungari.

 

Ai tha gjithashtu se nevojiteshin më shumë bisedime midis grupeve parlamentare, përpara se ligjvënësit të votonin mbi ofertat e anëtarësimit.

 

Sipas një kalendari të punimeve të parlamentit, votimi përfundimtar mbi kërkesat e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë mund të bëhet në 6 mars.

 

Suedia dhe Finlanda paraqitën vitin e kaluar kërkesën për t’u bashkuar me aleancën transatlantike pasi Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës. Por që të bëhet anëtarësimi, duhet të ratifikohet nga 30 anëtarët e NATO-s dhe Suedia është përballur me kundërshtime nga Turqia për shkak të strehimit të atyre që Ankaraja thotë se janë anëtarë të grupeve terroriste.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re