Ambasadori i ri i Austrisë në Tiranë, Christian Steiner, u kërkon forcave politike që t’i përgjigjen aspiratës së 97% të shqiptarëve që mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, zoti Steiner shprehet se Këshilli i BE-së vendosi hapjen e negociatave, ndërsa mbajtja e Konferencës së Parë të Amëtarësimit mbetet në dorën e Shqipërisë për të përmbushur kriteret që nisin me 15 pikat e vendosura tetorin e kaluar.

Ai shprehet se Austria që nga shkurti i këtij viti po mbështet “International Monitoring Operation”, projekt i cili mbështet procesin e Vetting-ut në drejtësi, e që po implementohet në aspektin teknik nga Agjencia Austriake për Zhvillim.

Pjesë nga intervista

Ju e njihni tashmë situatën politike në Shqipëri. Cili është vlerësimi juaj për krizën e vazhdueshme institucionale dhe sa e pengon kjo procesin e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian?

Sipas një anketimi, 97% e popullsisë shqiptare mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Për mendimin tim, kjo do të thotë që të gjitha forcat politike të vendit, për sa i përket kësaj çështjeje me interes kombëtar, të kenë të njëjtin qëllim (të jenë të gjitha në të njëjtën anë.) Pasi Këshilli i BE-së më 25 mars çeli dritën jeshile, tani është në dorën e Shqipërisë të përmbushë kriteret e anëtarësimit.

Nga njëra anë, këtu bëhet fjalë për 15 temat e lidhura me kriteret politike, nga të cilat, përveç Reformës Zgjedhore, për mendimin tim, liria e medias dhe Reforma në Drejtësi janë të një rëndësie të veçantë. Ne shpresojmë shumë që këto kushte do të përmbushen sa më parë të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të mbahet Konferenca e parë e Anëtarësimit. Por nga ana tjetër, në pikëpamjen time, nuk ka asgjë të keqe nëse që tani, pra, që tani para fillimit të negociatave, të fillohet të përmbushen aq sa mundet edhe kriteret ekonomike, si dhe të zhvillohet aftësia për të implementuar në mënyrë efektive Legjislacionin e Bashkimit Evropian, të ashtuquajturat ‘Kriteret e Kopenhagenit’ sipas marrëveshjes së BE-së.

Termi “negociata”, sa i përket procesit të anëtarësimit në BE, në pikëpamjen time të ngatërron disi, duke qenë se gjatë negociatave për anëtarësim nuk ka asgjë për të negociuar në lidhje me temën (në vetvete), por me mënyrën dhe me pikën kohore të përvetësimit dhe implementimit të Legjislacionit të Bashkimit Europian. Në fakt, procesi i “Acquis-Screening”, pra, përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian, ka filluar që prej disa kohësh. Prej vitesh, projekte të BE-së po mbështesin përgatitjen e një anëtarësimi të ardhshëm të Shqipërisë. Këtu po luajnë një rol të rëndësishëm edhe institucionet austriake, si për shembull, që nga shkurti i këtij viti International Monitoring Operation, projekt i cili mbështet procesin e vetingut në drejtësi, po implementohet në aspektin teknik nga Agjencia Austriake për Zhvillim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re