Ministrat e Jashtëm të vende anëtare të NATO-s do të takohen këtë të martë në Rumani. Bisedimet e udhëhequra nga Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg do të kenë në fokus rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën si dhe rritjen e sigurisë në krahun lindor të aleancës.

 

 

Stoltenberg pritet tu kërkojë anëtarëve të aleancës të rrisin ndihmën e tyre për Ukarinën. Më herët, NATO ka theksuar se Ukraina do të përballet me një dimër të vështirë. Aleanca ka akuzuar Rusisë se po shkatërron infrastrukturën jetike te energjisë dhe ujësjellësve duke zhytur vendin në pasiguri.

 

 

Pak ditë më parë presidenti Volodymyr Zelenskyy paralajmëroi ukrainasit për sulme të reja ruse këtë javë që mund të jenë po aq të këqija sa ato të javës së kaluar, të cilat lanë miliona njerëz pa ngrohje, ujë apo energji elektrike.

 

 

Ne takim do te diskutohet për rritjen e asistencës për Kievin duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore si dhe furnizimet mjekësore.

 

 

Rritja e sigurisë në krahun lindor do të jetë një tjetër temë e diskutimit. Që pas sulmit rus në Ukrainë, NATO ka shtuar prezencën në vendet baltike. E njëjta gjë pritet të bëhet edhe në Rumani. Sipas Stoltenberg forca te reja janë për t’u dislokuar në rajonin e Detit të Zi. Forcat e udhëhequra nga Franca si dhe vendosja e sistemit të raketave amerikane Patriot do të jenë një siguri e shtuar për aleancën veriatlantike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re