Komisioni Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët u mblodh të hënën për të vlerësuar kërkesën për azil në Shqipëri të shtetasit turk Selami Simsek, i cili insiston të mos dëbohet në Turqi ku rrezikon të burgoset si anëtar i dyshuar i lëvizjes Gulen.

Nga Besar Likmeta

Komisioni për Azilin dhe Refugjatët u mblodh të hënën në mbrëmje në Ministrinë e Brendshme dhe mbajti një mbledhje të gjatë deri në orët e para të mëngjesit të së martës, ndërsa vlerësonte kërkesën e shtetasit turk Selami Simsek – i dyshuar si anëtar i lëvizjes Gulen, për azil në Shqipëri.

Ndërsa komisioni vlerësonte kërkesën zyrtare të Simsek për mbrojte si refugjat politik, shtetasi turk u mbajt për orë të tëra në një furgon të policisë pa shenja dalluese, të parkuar jashtë Ministrisë së Brendshme.

Përballë furgonit në mesnatë u mblodhën një duzinë mbështetësish dhe babai i tij Sami Simsek, i cili  kishte fluturuar nga Ankaraja në Tiranë dhe kërkonte lirimin e të birit.

Selami Simsek, u arrestua korrikun e kaluar me një vizë kanadeze false në Rinas. Me 27 janar, Gjykata e Tiranës e dënoi Simsek me një vit e gjysmë burg, ndërsa përfitoi uljen e një të tretës së dënimit për shkak se ka pranuar fajin dhe ka shprehur pendesë.

Të hënën në drekë ai u lirua nga burgu pas përfundimit të dënimit dhe u shoqërua nga policia tek Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Laprakë, ku ka bërë kërkesën për azil. Sipas avokatit të tij, Elton Hyseni policia fillimisht tha se do ta transferonte drejt Qendrës Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit në Babrru, por furgoni që e shoqëronte nuk u paraqit kurrë atje.

Pasi bëri disa lëvizje nëpër rrugët e Tiranës, mjeti i policisë së shtetit pa shenja dalluese dhe me xhama të errët u parkua përpara Ministrisë së Brendshme, ndërsa mësohet se Sismek u intervistua në mbrëmje nga Komisioni për Azilin dhe Refugjatët.

Sami Simsek i tha BIRN nëpërmjet një përkthyesi jashtë Qendrës Kombëtare Pritëse të Azilkërkuesve në Babrru se “ishte shumë i merakosur për të birin dhe kërkonte që autoritet të merrnin një vendim. “

Më vonë, rreth orë 11:30 të mbrëmjes Samiu u zhvendos drejt Ministrisë së Brendshme, ku e takoi të birin i cili mbahej nga policia në furgonin e parkuar në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Në orët e para të mëngjesit të së martës në Ministri raportohet të ketë ardhur dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Ndërkohë, jashtë furgonit ishin mbledhur një duzinë mbështetësish të Simsek dhe pak gazetarë. Në orët e para të mëngjesit Policia e Shtetit ka ndalur dhe shoqëruar për verifikim rreth 20 mbështetës të shtetasit turk që ishin mbledhur jashtë Ministrisë së Brendshme. Mes të ndaluarave ka qenë dhe gazetari i Fax News TV, Bekim Bici.

Bici deklaroi pas lirimit në Facebook se është hera e dytë në harkun kohor të 6 muajve që Policia e Shtetit e shoqëron për disa orë në Komisariat gjatë ushtrimit të detyrës s gazetarit.

“Si gazetar shpreh indinjatën e thellë ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj Drejtorit Ardi Veliu, i cili përballë meje duke e ditur që jam gazetar dha urdhër për shoqërimin tim,” tha ai.

“Po ashtu shpreh keqardhje ndaj ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj, në sy të të cilit u urdhërua dhe u bë shoqërimi im,” shtoi Bici.

Simsek u ndalua në aeroportin e Rinasit në 8 korrik 2019 së bashku me një shtetas tjetër turk të quajtur Harun Çelik – i cili u dëbua në rrethana të dyshimta nga Tirana drejt Stambollit më 1 janar.

Pas mbërritjes në Turqi, Çelik u arrestua dhe u vu nën akuzë si anëtar i lëvizjes Gulen, të cilën qeveria turke e akuzon për grushtin e dështuar të shtetit të korrikut 2016.

Turqia e konsideron lëvizjen Gulen si organizatë terroriste dhe i referohet me emrin Feto. Dhjetëra mijëra persona të dyshuar si pjesë të kësaj organizate janë arrestuar në Turqi pas grushtit të shtetit dhe një numër i ngjashëm janë larguar nga vendi – një pjesë e strehuar ne vendet e Ballkanit.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka ushtruar vazhdimisht presion ndaj vendeve të rajonit që t’i ekstradojnë ose t’i dëbojnë anëtarët e dyshuar të lëvizjes Gulen në Turqi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re